Quantcast
Channel: Albania News
Viewing all 206 articles
Browse latest View live

Edi Rama: Ta bëjmë Shqipërinë një Itali të vogël dhe efikase

$
0
0
Edi Rama ne Forumin e Biznesit Shqiperi Itali

Për kryeministrin Rama, kthimi i Shqipërisë në Zvicër apo Gjermani të vogël është jo vetëm e pamundur, por edhe e mërzitshme, ndërsa objektivi sipas tij mbetet Italia e jugut.

“Ne sigurisht duam të jemi anëtar të BE, por për mua do të ishte një objektiv i arritur nëse do të arrinim të ishim një pjesë e efektshme e Jugut të Italisë. Ne nuk mundemi kurrë të bëhemi një Zvicër apo gjermanë dhe nuk do të ishte aq stimuluese kjo, se do ishte tepër e mërzitshme, por sidoqoftë ta bëjmë Shqipërinë një Itali të vogël, efikase, do të ishte vërtet maksimumi për ne.”

Rama foli në Forumin e Biznesit Shqipëri-Itali, ku merrnin pjesë 200 kompani të Konfindustria-s italiane me synimin për të nisur një kapitull të ri investimesh që krijojnë punësim dhe ekonomi në Shqipëri.

Rama falënderoi të gjithë sipërmarrësit italianë të pranishëm në forum, veçanërisht Presidentin e Konfindustrias italiane.

“Të mendosh se janë 20 miliardë euro këtu në sallë është një gjë e pabesueshme edhe për këtë hotel edhe për këtë vend. Shpresoj shumë që ndonjë euro nga të gjitha këto të mbetet në Shqipëri në formën e investimeve, sepse Shqipëria është jo vetëm një vend që po rritet, por sepse italianët ndodhen në shtëpinë e tyre. Sepse jemi italianë me të gjitha vlerat dhe të metat.”

“Nuk kemi të njëjtën histori, në kuptimin e traditave dhe të gjithë asaj që e bën Italinë një prej vendeve më të mëdha dhe të mrekullueshme të botës, por jemi Itali e gjyshërve tuaj, ku ka shumë për të parë, për të bërë dhe shumë për të fituar.”

Rama tha se ata që e kanë bërë këtë hap mund të dëshmojnë se përveç problemeve, pengesave, Shqipëria vërtet garanton shumë.

“Ka një mënyrë të qeni dhe të jetuari që ngjan si dy pika uji me mënyrën tuaj të të jetuarit në Itali, me avantazhin që taksat janë shumë më të ulëta, dhe burokracia po ashtu. Janë dy gjëra që e bëjnë shumë të vuajë Italinë prej shumë vitesh. Edhe ne duhet të lehtësojmë burokracinë, por me taksat jemi shumë poshtë…

Ka vërtetë shumë për të bërë në këtë fushë, ndërsa çdo vit rritja e kërkesës është vërtetë e paarritshme nga pikëpamja e ofertës, tour operatorët tanë janë të detyruar të refuzojnë rreth 5 % të kërkesës”, tha Rama, duke shtuar se “do doja të nënvizoja se kemi një legjislacion shumë avantazhues.

Ne besojmë se në 5-10 vitet e ardhshme, turizmi do të jetë kantieri më i rëndësishëm i Shqipërisë në të gjitha pikëpamjet. Për këtë kemi përgatitur një legjislacion shumë tërheqës. Mjafton të mendojmë se kushdo do të investonte në një hotel apo strukture me 4-5 yje do të kishte 10 vjet pa asnjë taksë, përveç një TVSH-je prej 6 %.”


Kuzhinierë shqiptarë në Itali, historitë e dy emigrantëve ambiciozë

$
0
0
Kuzhinierë shqiptarë në Itali, historitë e dy emigrantëve ambiciozë

Për shumë emigrantë ka ndodhur që në shtetin e mërguar të kenë gjetur menjëherë punë nëpër restorante e lokale. Pikërisht kështu shënohet pikënisja e një karriere të arrirë në kuzhinë nga dy shefa të shkëlqyer shqiptarë si Entiana Osmenzeza dhe Fundim Gjepali.

Entiana Osmenzeza

Shefja e shkëlqyer e kuzhinës italiane Entiana Osmenzeza, e cila mbart origjinë shqiptare tregon përballjen e saj të parë me kuzhinën.

‘’Në Shqipëri studioja dhe nëqoftëse do të kisha qenë mirë në vendin tim nuk do të isha larguar kurrë. Në atë kohë zhvillohej lufta civile dhe ishte e pamundur të ndërtohej një e ardhme”. Me rënien e regjimit situata u komplikua. Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe kur për herë të parë vuri këmbë në Itali.

‘’Për ne Italia ishte siç ishte për italianët Amerika’’, shpjegon ajo.

Italia ishte një tokë e afërt për nga gjeografia dhe kultura dhe njohur paraprakisht nga pasqyrimi i saj në mediat asokohe.

Entiana Osmenzeza

Entiana gjendet më pas në Piemonte, vend ky me projekte në mbështetje të pakicës së huaj. Ajo shprehet se gjëja e parë që bëri sapo shkeli në “tokën e premtuar” ishte kërkimi i një pune për të mbijetuar. Dhe vendi i saj i punës gjendej pikërisht brenda një restoranti të vogël.

Formimi i saj në kuzhinë i adresohet shtetit tonë fqinj, Italisë. Jeta e refugjates ka qenë shumë e vështirë, sidomos në vitet e para të sajat, në Itali. Teksa filloi të rikuperohej emocionalisht, por dhe ekonomikisht ajo filloi të udhëtonte dhe përgjatë udhëtimeve korrte eksperienca.

Në shkollën Markezi, në Montekarlo  “ekzistonte një rregull dhe precizion i madh, dhe fillova të mendoj me veten që dhe unë doja të isha e tillë një ditë, dhe kështu vendosa të ndiqja këtë rrugë. Por duhet të shtoj që ka qenë tmerrësisht e vështirë për t’u orientuar drejt kualitetit, sepse tundimi për të zgjedhur rrugë më të thjeshta ka qenë shumë i fortë”. 

Fundim Gjepali

Fundim Gjepali në 1996, në moshën 14 vjeçare i bashkohet kunatit të tij në afërsi të Romës, ku arrin të gjejë punë në një agroturizëm. “Vija nga një familje punëtorësh, por kishim shumë familjaritet me ushqimin”. Gjepali e fillon rrugëtimin e tij si një pjatalarës, por shumë shpejt kalon në kuzhinë. Lexonte dhe studionte shumë, si dhe bëhej pjesë e kongreseve e forumeve. Eksperienca e tij gjen rrënjë në disa restorante të famshme.

Në fillim të viteve 2000 e shikon veten teksa ngjit shkallët me një shpejtësi marramendëse. Pas disa viteve u mor me ngritjen e fermës së vogël të familjes së tij, afër Durrësit.

Ideja e tij ishte e thjeshtë: Të nesërmen kërkonte të posedonte një biznes të tij agroturistik.

Nuk vonoi shumë, kur iu ofrua të merrte pjesë në Masterchef Albania, dhe kjo shërbeu si një trampolinë për të hapur Padamin, një lokal i pozicionuar në zemër të Tiranës.

Fundim Gjepali

Flasim albanese apo parliamo italisht? Një përsiatje mbi raportin e përditshëm të gjuhës mëmë

$
0
0
Gjuha amtare

Duke u nisur paraprakisht prej faktit se ne shqiptarët kemi një prirje te dallueshme përkundrejt gjuhëve të huaja, sepse ndoshta kjo na është injektuar si një mënyrë për të reaguar ndaj rregullave të hekurta të censurës, të cilat na ndalonin që të ndiqnim televizionet e huaja, të lexonim libra në gjuhë të huaja, të ndiqnim shtypin dhe të gjitha mjetet informuese të huaja, nuk na lejonin që të largoheshim nga vendi ynë, mund të pohojme se:

Me dukurinë e emigracionit në fillimin e viteve ’90-të, ne shqiptarët – ashtu sikurse kushdo që lë tokën e tij mëmë, për çfarëdo arsyeje – mundëm që t’i jepnim hapësirë pikërisht, jo vetëm asaj aq të kërkuare “dëshirë për liri”, duke i kapërcyer ata kufinj që na mbanin prej kohësh të izoluar brenda vendit, pa na lejuar që të zbulonim botën që na rrethonte por, edhe ngutjes për të mësuar dhe për të thelluar njohjen e gjuhëve të reja të huaja.

Kjo, duke qenë diktuar nga nevojshmëria për të komunikuar paraprakisht me banorët e vendit të ri që sapo na kishte ofruar mikpritjen e për t’u përballur me sfidat e jetës së përditshme, në komunikimin përkatës ditor për punë, studim etj.

Prej këtu, pasi të kapërcehej ky hap, d.m.th ai i përballjes së menjëhershme me gjuhën e re të vendit pritës, prirja e lartpërmendur e shqiptarëve përkundrejt gjuhëve të huaja, nuk do të rezultonte më e mjaftueshme në të njëjtën mënyrë për të gjithë emigrantët që erdhën në Itali, duke konsideruar faktorë si: niveli i arsimimit të tyre, prejardhja e shumë prej tyre nga zona të thella të Shqipërisë, mosha etj.

Një problem domethënës, me të cilin do të përballeshin fëmijët e lindur jashtë Shqipërisë:
Në cilën gjuhë duhet t’u flasin atyre prindërit në familje? Në rastin tonë, shqiptarë të Italisë, a do të ishte e drejtë që fëmijëve t’u flitej në gjuhën amtare, atë shqipe?

Apo, rreth moshës 3-vjeçare, moshë në të cilën fëmijët përgatiten që të ndjekin kopështin, duke u folur shqip në shtëpi, këta fëmijë në kopësht do të hasnin vështirësi me italishten dhe si rrjedhojë, përshtatja e tyre në kopësht e më tej ajo në shoqëri, do të rezultonte e vështirë?

Këto kanë qenë disa pyetje reale dhe objektive që i kanë drejtuar vetes shumë çifte të reja shqiptare në lidhje me çështjen e gjuhës, pyetje, të cilat kanë hasur dy lloje reagimesh nga ana e mësuesve të shkollave të ciklit të ulët.

Ka pasur nga ata mësues që atyre u kanë thënë: “ Po mirë, ju nuk u flisni italisht fëmijëve në shtëpi? Epo, fëmijëve u duhet folur italisht në familje, përndryshe përshtatja e tyre në shkollë do të rezultojë e vështirë…!”

Dhe mësues të tjerë që, përkundrazi, u kanë thënë: “ Bëni mirë që fëmijëve u flisni shqip në shtëpi, në gjuhën tuaj amtare, pasi ata janë të pajisur me aftësinë për t’i dalluar këto dy gjuhë nga njëra-tjetra madje, me një bazë të fortë të shqipes, janë të paraprirë të mësojnë lehtë italishten, të jenë të aftë në dygjuhësinë. Bile, kanë prirje të dallueshme edhe për të mësuar gjuhë të tjera të huaja!”
Veçse këtu, do të hasej zanafilla e një mekanizmi tjetër të veçantë:

“Nëse një prind shqiptar- unë sjell shembullin “shqiptar”, pasi ai përkon me ne por, kjo vlen për çdo kombësi të huaj natyrisht – ai vetë, nuk e zotëron siç duhet italishten, a është e drejtë që në shtëpi t’i flasë fëmijës me një italishte të shtrembëruar, të çalë, me një italishte që lë shumë për të dëshiruar?”

Unë mendoj pikërisht, se kjo nuk është gjëja e duhur për t’u zbatuar.

Në një farë mënyre, një arsyetim i ngjashëm me këtë të lartpërmendurin për zgjedhjen e gjuhës për t’ua folur në familje fëmijëve të huaj – ashtu sikurse më tregojnë miq italianë që janë me origjinë nga Jugu i Italisë – u bëhet këtu në Veri të Italisë, Emilia-Romagna, nga ana e mësuesve veriorë, edhe fëmijëve italianë me prejardhje nga Jugu i vendit të tyre. D.m.th, mësuesit veriorë, i ftojnë prindërit jugorë, që të mos u flasin në shtëpi në dialekt fëmijëve të tyre, pasi ata në shkollë hasin probleme me italishten standarde. Dhe kjo vështirësi nga ana e këtyre nxënësve jugorë me italishten zyrtare, shumëfishohet më tepër në kthimin e tyre pas pushimeve verore nga qytetet e veta përkatëse në Jug të Italisë, aty ku kanë folur vetëm në dialektet e tyre.

Si të themi, këto kthehen në probleme gjuhësore dhe çështje komunikimi të përditshëm për të gjithë ata që nuk janë autoktone në një vend të përcaktuar.

Fëmijët më tej, duke u rritur, projektohen gjithnjë e me tepër drejt mësimit të gjuhës së vendit pritës, në rastin tonë, të italishtes. Prej këtu, në rastin e martesave të përziera italo-shqiptare, bëhet gjithnjë e më e vështirë ruajtja e shqipes.

Sepse, kjo kthehet edhe në një çështje përparësie: se cilës gjuhë t’i jepet më tepër rëndësi.
Për fëmijët shqiptarë të brezit të dytë, shqipja po humbet, duke praktikuar italishten gjithnjë e më shumë nëpër shkolla dhe në të përditshmen e tyre. Përveç kësaj, gjithnjë nëpër shkolla, ata mësojnë anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht.

Kanë të bëjnë në ruajtjen e shqipes, edhe zgjedhjet që bëjnë në vite familjet emigrante, për t’i kaluar pushimet verore në Shqipëri apo jo, pasi kjo është një mënyrë e mirë jo vetëm për ruajtjen dhe aplikimin e gjuhës por, edhe në ruajtjen e zakoneve shqiptare.

Nga “poliglotë” pak për pasion – përtej asaj që, kjo është një dhunti vetjake fundja – nga ana tjetër, pak prej nevojshmërisë, emigrantit i duhet të përballet edhe me një tjetër dukuri akoma: jo më me atë të gjuhës standarde të vendit pritës por, edhe me dialektin apo të folurën lokale të provincës apo fshatit të huaj ku ai jeton.

Përveç dialektit pra, në idiolektet, në idioma të ndryshme e në një frazeologji të gjerë, të përbërë prej shumë thëniesh lokale.

Mua p.sh, në fillimet e vendosjes sime këtu në Itali, në krahinën Emilia-Romagna, pavarësisht se e njihja italishten standarde që fëmijë, që në Shqipëri – pasi jam rritur në një familje dygjuhëshe italo-shqiptare – më kanë ndodhur disa situata zbavitëse, pothuajse komike mund të them, në lidhje me zhargonin dialektor e atë provincial.

Kur një zonjë e moshuar nga Parma, një fqinjë e imja më pati thënë:
“Po të përshëndes, sepse tani po shkoj të mbledh nja dy “mace”! ( “Gatti”- italisht)”

E unë, duke i bërë përkthimin fjalë për fjalë, i thashë: “Qenkeni e sjellshme që po mblidhkeni macet, diçka shumë njerëzore kjo, nga ana juaj!”

Sepse, mendova se ajo po mblidhte macet e braktisura të rrugëve dhe po u ofronte atyre një strehe.

“Ah jo, – më pati thënë – “po mbledh macet”, në krahinën tonë do të thotë:
“Po mbledh pluhurat, po pastroj …”, d.m.th thjesht: ”Po bëj punët e shtëpisë”.

Dhe si kjo shprehje, ka të tjera pafund.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, nuk mundem të anashkaloj një tjetër shqetësim timin aktual: atë të lidhur me mënyrën e shkujdesur, në të cilën flitet e shkruhet sot shqipja brenda kufijve të Shqipërisë.

Vërej me keqardhje që shqipja – kryesisht me përhapjen e gjerë të portaleve online dhe të hapësirave të ndryshme shoqërore të komunikimit virtual – shpesh shkruhet keq, në mënyrë të pasaktë, me gabime ortografike dhe plot huazime nga gjuhët e tjera.

Çështja e huazimeve të vjetra kryesisht nga arabishtja, turqishtja apo italishtja, të integruar në shqipe, ështe diçka më vete. Ata tashmë janë shkrirë në shqipe, janë kthyer në pjesë përbërëse të fjalorit të shqipes ndër vite – çdo gjuhë ka nevojë për huazime fundja – por, ka edhe forma të shumëllojshme huazimesh nga anglishtja, shkurtime apo shtrembërime gjuhësore që kanë zënë në shqipe vendin që nuk u përket, duke e dëmtuar atë si gjuhë.

Në këtë kontekst, një rol i rëndësishëm u takon institucioneve përkatëse dhe mediave të cilët, me mënyrën sesi shkruajnë e komunikojnë, ndikojnë të gjithë popullsinë që ata i ndjek.
“Gjuha është një gjurmë, gjurma më e madhe e gjendjes sonë njerëzore” shkruante Octavio Paz.

Le të bëjmë çmos që secili nga ne, brenda mundësive të tij, të përkujdeset për këtë gjurmë, e cila do të niste si diçka e mirëfilltë e thjesht “gjuhësore” por, që do të merrte shtrirje në një nivel të gjerë shoqëror e kulturor, madje shumëgjuhësh e shumë kulturor.


Ky artikull është publikuar për herë të parë tek Shqiptari i Italisë


Mund t’ju interesojë gjithashtu

Dygjuhёsia dhe gjenerata e dytё

$
0
0
Dygjuhesia Gjuha Amtare

Nё këtë artikull, do tё më lejoni tё trajtoj temën e dygjuhësisё, shpesh zëvendësuar me fjalёn “bilinguizëm”, nga disa aspekte kritike qё kam patur rastin të has shpesh në kontaktet me bashkëatdhetarët e mi, këtu në Itali.

Veçanёrisht do tё mё pёlqente tё ndalesha pak mё gjatё nё pёrdorimin e dygjuhёsisё nga ana e fёmijëve tё lindur apo tё rritur jashtё Atdheut. Duke mos qenё as sociologe e as psikologe, nuk do tё flas pёr avantazhet e dygjuhёsisё, edhe kur kjo domosdoshmёri lind si pasoj mbijetese e pёrshtatjeje nё vendin ku emigrohet, pasi janё tema tё trajtuara e tё ritrajtuar nga profesionistё tё çdo rangu. Ajo qё dua tё shtroj ёshtё pyetja se çfarё duhet bёrё pёr t’ju transmetuar fёmijёve nё emigracion njё gjuhё sa mё ta pastёr, sa mё tё pasur nё shprejё dhe pa ndikimet dhe futjen e termave tё huaja.

Nuk ёshtё e lehtё tё jetosh nё njё vend tё huaj e tё luftosh çdo ditё pёr tu integruar, si nga pikpamja ekonomike por edhe kulturale. Tё flasёsh pa gabime gjuhёn e vendit pritёs ёshtё gati e pamundur siç ёshtё gjithashtu gati e pamundur ta shkruash atё pa gabime e pa korrigjues automatikё tё mjeteve elektronike tё komunikimit. E folura e pёrditshme, siç ёshtё e njohur, tё cilёs mund ti shtohet edhe terminologjia e njё zanati tё caktuar, nga profesionet mё tё thjeshta apo profesione qё kёrkojnё njё shkollim mё tё lart, pёrfshin pёrdorimin e njё numuri tё kufizuar fjalёsh. Pra mund tё themi me bindje qё brezi i parё i emigracionit nuk e njeh gjuhёn e vendit pritёs sikudёr autoktonёt.

Mё ka rёnё shpesh rasti tё degjoj prindёr shqiptarё, sidomos nёpёr ambjente tё hapura publike, t’u flasin fёmijёve tё tyre nё italisht. Kjo ndodh ndoshta pёr dёshirёn qё kanё disa pёr tё mos u dalluar si tё huaj, por edhe pёr pamundёsinё qё mund tё kёnё pёr tё komunikuar me fёmijёt e tyre nё njё gjuhё pa gabime gramatikore. Dua tё jem mё e saktё. Nuk dua tё ndalem nё aspektet sociale, siç mund tё jetё diskriminimi, mёnjanimi apo forma tё tjera isolimi, tema shumё tё ditёs qё prekin nga afёr emigracionin…..do tё flas vetёm pёr pёrdorimin e gjuhёs shqipe tek gjenerata e dytё. Edhe prindёrit nё emigracion, pёr motive tё njohura, e kanё tё vёshtirё tё rujnё njё nivel tё plotё tё pёrdorimit tё gjuhёs shqipe si nё kohёn kur ishin nё Atdhe.

Gjuha reduktohet kryesisht nё njё grup fjalёsh tё komunikimit tё pёrditshёm, gjithmonё kur kjo mundёsi ekziston. E siç thotё populli yne, gjuha mbahet gjalle vetёm duke e pёrdorur atё. Atёhere lind pyetja, si mundet kёta prindёr nё emigracion t’u pёrcjellin bijve tёtyre gjuhёn amёtare????

Pёr vite me rradhё, nё shkollat italiane, edhe pse politikat e integrimit kishin parashikuar figurёn e mediatorit kultural, ju kёshillonin prindёrve qё tё mos flisnin mes tyre nё familje gjuhёn e origjinёs por tё pёrdornin vetёm italishten.

Njё politikё kjo, siç flasin rezultatet, e gabuar, e korrigjuar tashmё nga vet shkollat e mёsuesit. Aktualishtёshtё kaluar nё tё kundёrtёn e saj, pra pёrdorimin nёpёr familje tё gjuhёs mёmё, duke ja lёnё shkollёs e shoqёrisёdetyrёn e mёsimit korrekt tё gjuhёs italiane. Aspekt ky shumё i drejtё edhe nga pikpamja e roleve nё familje, ku jo pak herё autoriteti prindёror binte, pёr shkak tё mos pёrdorimit korrekt tё gjuhёs, e bёhej qesharak karshi fёmijes, dukё e vёnё atё nё dyshim e pse jo, duke e çuar deri nё tallje.

Gjithmonё duke folur pёr aspektet kritike, do tё shtoja qё, mes emigrantёve haset njё pёrdorim i theksuar dialektor, si pasoj transmetuar edhe tek femijёt, tё cilёt pёrveç tij nuk kanё mundёsi tё mёsojnё gjuhёn letrare. Mungesa e kёsaj tё fundit e bёn tё vёshtirё qё dy fёmijё me origjinё shqiptare, qё flasin njёri dialektin e veriut e tjetri tё jugut, tё mёrren vesh nё mes tyre. Pёr ta ёshtё mё e lehtё pёrdorimi i gjuhёs italiane.

Janё shumё frekuente rastet kur, vet prindёrit, bёjnё pёrzjerje dygjuhёsore, duke pёrdorur foljet italiane tёzgjedhuara nё shqip, nё vetёn e parё, tё dytё apo tё tretё…. Akoma edhe mё keq kur tё lodhur nga pёrpjekje tёvazhdueshme komunikimi, herё, herё tё pamundura, prindi flet nё shqip dhe femija pёrgjigjet nё italiasht, apo gjysmat e fjalёve nё njё gjuhё e gjysmat nё njё tjetёr,…. ky kalvar zgjat pafund e pa kurfarё rezultati.

Nё emigracion ёshtё shumё e vёshtrё tё ruash identitetin tёnd kulturor, por akoma edhe mё e vёshtirё tua pёrcjellёsh atё fёmijёve tё lindur jashtё Atdhet. Njё temё mё vete ёshtё dhe ajo e çifteve mikse ku njёri prej prindёrve ёshtё shqiptar e tjetri italian, apo i ndonjё etnie tjeter, ku loja bёhet edhe mё e ndёrlikuar mё njё gjuhё e mё njё kulturё tё tretё.

Por le ti kthehemi shqipes sonё, qё na intereson mё shumё. Ka ardhur koha kur duhet menduar seriozisht trajtimi i kёtij problemi. Brezin e dytё, po nuk u investua nё mёsimdhёnie e nё kulturё, e pret asimilimi. Shumё nga ne shqiptarёt qё jetojmё jashtё kufijve, pёr tё mos thёnё tё tёrё, nuk e duam kёtё gjё, e nё mёnyre totalisht vullnetare japim nje kontribut modest brenda mundёsive tona tё kufizuara, me shkolla apo kurse tё mёsimit tё gjuhёs shqipe, me aktivitete kulturorё, duke publikuar herё pas herё ndonjё artikull si ky, nё mediat qё na e mundёsojnё atё, si gazeta nё fjalё, apo thjesht duke qёnё ambasadorё tё vendit tonё sa herё na e kёrkon jeta dhe kontaktet e pёrditshme.

Kemi bindjen se mund tё bёjmё edhe mё shumё sikur shteti ynё tё na mbeshtesi me politika konkrete, tё studjuara, duke shfrytёzuar bazat tona aktuale. Kemi pritur me entuziazёm krijimin e Ministrisё sё Diasporёs e shpresojmё shumё qё kjo bashkё mё dikasteret e tjera pёrkatse, ti kushtojnё vёmёndjen e duhur temave qё ngrejmё, duke na dhёnё pёrgjigjet e duhura. Emigrantёt e bijtё e tyre janё njё potencial i madh njerёzor e jo vetёm ekonomik. Nё gjithё kёto vite kanё kontribuar, me sukseset e tyre nё çdo fushё, nё rritjen e imazhit dhe zhvillimit ekonomik tё Shqiperisё.

Tema e mёsimit tё gjuhёs letrare shqipe dhe njohja e mirё e saj ёshtё shumё e rendёsishmё e nuk duhet t’i lihet rastёsisё. Shkollat shqipe, qё me shumё sakrifica e lodhje, mbahen tё hapura falё punёs vullnetare, tё parreshtur, plot pasion e patriotizёm tё mёsuesve vullnetarё, japin njё kontribut tё vyer nё formimin gjuhёsor tё gjeneratёs sё dytё. Strukturimi dhe njohja e tyre, pajisja me baza materiale e didaktike, çertifikimi i kurseve tё ndjekura sipas niveleve tё diferencuara, do tё ishin vetёm disa nga nevojat parёsore qё ato kanё.

Ndёrkohё qё politika italiane bёn pёrpjekjet e saja konkrete pёr njohjen e tё drejtёs sё qytetarisё pёr “ius solis” tё fёmijёve tё emigrantёve, politika shqiptare duhet tё bёj gjithashtu edhe ajo njohjen e qytetarёve tё saj jashtё kufijve pёr “ius sangunis”. Njё nga aspektёt parёsore, jo administrative, ёshtё dhe mbetet gjuha letrare shqipe. Kjo gjeneratё e dytё njё ditё mund tё kthehet nё Atdhe, nёsё kёshtu do tё meritonte tё quhej vendi i tё parёve tё tyre!!!!


Ky artikull është botuar për herë të parë në Interessi Comuni Journal, më datë 8 tetor 2017


Mund t’ju interesojë gjithashtu

Itali, kërkesa për punonjës sezonal: 18 mijë vende në 2018 edhe për shqiptarët

$
0
0
dekretii i flukseve 2018 Itali

Sipas dekretit të flukseve 2018, në Itali vihen në dispozicion 30.850 kuota për punë të varur sezonale të punonjësve të huaj, ndër të cilat edhe shqiptarët, si dhe konvertime lejesh të ndryshme qëndrimi në leje pune, së të huajve tashmë rezidentë në Itali.

Ndarja e kuotave

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Italiane, 30.850 kuotat janë të ndara si më poshtë:

  • 18.000 për punonjës sezonale për sektorin bujqësor dhe atë turistik (2.000 nga këto u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare). Punonjësit mund të jenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Herzegovina, Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldova, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.
  • 500 hyrje për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;
  • 100 punonjës të pavarur apo të varur josezonale me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
  • 2.400 hyrje për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të hapin aktivitetin privat në Itali apo profesionistë, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Konvertime për punë të varur

Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:

  • 4.750 lejeqëndrimeve për punë sezonale;
  • 3.500 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
  • 800 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;

Konvertime për punë të pavarur

Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:

  • 700 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
  • 100 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.

Për të gjitha llojet e hyrjeve dhe konvertimeve, do të mund të paraqiten kërkesa deri në 31 dhjetor 2018 me anë të faqes online https://nullaostalavoro.dlci.interno.it .

Ndiqni videon

Lega Nord, “Italianët të parët”: Por nuk ka italianë në posterat e fushatës

$
0
0
Lega Nord Italianët të parët Matteo Salvini 2

Matteo Salvini, tani e kemi kuptuar të gjithë, e do shumë Italinë dhe italianët. Edhe pse më parë donte më shumë italianët e Veriut të Italisë e më pak napoletanët – por tashmë u ka kërkuar falje italianëve.

“Lega Nord” në Itali është pozicionuar hapur kundër emigrantëve gjatë fushatës elektorale.

Slogani i partisë së Mateo Salvinit është “Italianët të parët”, që të kujton sloganin e Trump-it në fushatën presidenciale. Por partia që e ka hequr fjalën Nord nga emërtimi, me synimin për t’u përhapur edhe në Jugun e Italisë, nuk flet njësoj si me sloganet, edhe me imazhet që i shoqërojnë ato.

Njerëzit në posterat e saj janë biondë me sy bojëqielli.

“Nuk janë militant të Legës apo familje italiane, janë modelë të huaj të agjencive të huaja që shesin imazhe në Stock”, ka zbuluar gazetari dhe blogeri Matteo Leonardon

Dy prej personazheve që shfaqen në posterin e madh në Milano janë në fakt modele çeke. Po ashtu, një tjetër poster, ku shfaqet një baba me të birin, janë modelë nga Sllovakia.

A e dinë vallë këta modelë se janë zgjedhur në këtë fushatë zgjedhore për të përfaqësuar edhe italianët që nuk duhet të diskriminohen?


Lega Nord Italianët të parët Matteo Salvini 2
Imazhi i përdorur gjatë fushatës
Lega Nord Italianët të parët Matteo Salvini 4
Imazhi origjinal

Lega Nord Italianët të parët Matteo Salvini 1
Imazhi i përdorur gjatë fushatës
Lega Nord Italianët të parët Matteo Salvini 3
Imazhi origjinal

Edhe Tirana ka pasur Romeon e Zhuljetën e vet: Faqebardhi e Bukuria

$
0
0
Tirana

Shekspiri, po të jetonte në Tiranë, Romeon e Zhuljetën do t’i quante Faqebardhi dhe Bukuria.

Romeon dhe Zhuljetën i njohim të gjithë. Shekspirin po ashtu, e njohim.

Por, jo të gjithë e dimë që ndoshta në veprën origjinale, siç thuhet, Zhuljeta Kapuleti dhe familja e saj vinin nga Shqipëria.

Që mbiemri “Capuleti” (Kapuleti) vjen nga kapelet ose më mirë helmetat prej hekuri që mbanin ushtarët e ardhur në Itali nga Shqipëria në 1200-ën nën Republikën e Venedikut (burimi: Treccani)

Por, nuk dimë as që edhe Tirana kishte tragjedinë e saj analoge, si ajo e Romeos me Zhuljetën.

Atë e përbënin Bukuria dhe Faqebardhi.

“Oh Romeo, përse je ti, Romeo…!

“Oh Faqebardh, përse je ti, Faqebardh!”

Romeo dhe Zhuljeta tironas kanë ekzistuar vërtet, të paktën sipas legjendave dhe gojëdhënave të tironsave e banorëve të rrethinave të qytetit.

Nga lindin këto gojëdhëna urbane

Në rrugën Tiranë – Ndroq, nën një pemë të lartë, një rrap të moçëm gjendet një varr i madh që populli e njeh me emrin: “Varri i ashikut“. Thuhet se në atë varr janë varrosur që të dy të dashurit e pandarë edhe në jetën tjetër, Bukuria dhe Faqebardhi.

Varri i Ashikut
Varri i pati rezistuar mjaft luftërave, madje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, u restaurua nga ushtarët italianë, të cilët aty afër kishin ngritur një repart të vetin.

Ngjarjen, populli e përcakton si me vendndodhje në një fshat afër Pezës. Faqebardhi ishte një djalë nga fshati Bozanxhije i Ndroqit.

Për këtë ngjarje ka shkruar në botimin e tij “Studime Shqiptare” edhe albanologu gjerman Johan Georg von Hahn në vitin 1850 – 1860 mbi udhëtimin e tij në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut.

Edhe historiani Kristo Frashëri e përmend këtë legjendë në botimet e tij mbi historikun e Tiranës.

Legjenda e dy të rinjve të dashuruar shpjegohet me tragjedinë që ndodh ditën e dasmës së Bukuries.

Bukurien e detyrojnë prindërit të martohet me një djalë kundër dëshirës së saj por, ajo donte Faqebardhin. Faqebardhi punonte si ndihmës në punishten e babait të Bukuries dhe ky i fundit e pati kundërshtuar me forcë lidhjen e tyre.

Ditën e dasmës së Bukuries, i dashuri i saj, Faqebardhi u del përpara krushqve që po shoqëronin nusen te dhëndri dhe u thotë që të ndalen e ajo martesë të pengohej sa ishin në kohë, pasi do të rezultonte një lidhje e gabuar. Krushqit nuk ia vënë veshin dhe vazhdojnë rrugën, atëherë Faqebardhi qëllon mbi nusen, të dashurën e tij, duke e vrarë. Më pas, shtrihet pranë saj dhe vret edhe veten.

Që aty, shpjegojnë gojëdhënat se ata u varrosën në të njëjtin varr në rrugën Tiranë – Ndroq, i ashtuquajturi “Varri i ashikut”.

Ja pra, që Shekspiri në Tiranë kishte një Zhuljetë e një Romeo tjetër. Më saktë, rreth Pezës homologët e personazheve të veprës madhështore shekspiriane qenë:

Bukuria dhe Faqebardhi…


Ky artikull është i disponueshëm dhe në italisht

Nis aktivitetin kompania italiane Mabiel në sektorin automotiv

$
0
0
Mabiel International Claudio Paganini Arben Ahmetaj

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë një vizitë në kompaninë italiane Mabiel, pjesë e grupit Martinetto, e cila ka filluar rishtazi aktivitetin e saj në Shqipëri në industrinë automotive, një sektor me zhvillim të rëndësishëm në tre vitet e fundit në vend.

“Këtu jemi në një fabrikë të re, të ndërtuar nga grupi Martinetto, të cilët prodhojnë produkte specifike për industrinë automotive. Kanë vetëm dy muaj që kanë filluar. Siç e shikoni, industria është pothuajse e gjitha robotike, pra nuk është nga ato industri ku punësohen me qindra e me mijëra, por është nga ato industri që kanë vlerë të shtuar serioze për ekonominë shqiptare”

Kompania, e cila erdhi për herë të parë në Shqipëri në gusht 2017, filloi aktivitetin brenda një kohe shumë të shkurtër, në muajin dhjetor. Produkti eksportohet në të gjithë vendet e botës, në Europë, Azi e Amerikë.

“Kompania është një nga dy prodhuesit e këtyre produkteve specifike në botë. Janë fijet metalike të guarnicioneve të makinave dhe sigurisht që janë vetëm për eksport, për eksport në Japoni, për eksport në Australi, për eksport në Amerikë, madje përfitojnë edhe nga marrëveshja e tregtisë së lirë që ne kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo dhe diku tjetër në Europë. Unë besoj që, ajo që qeveria “Rama 1” kishte në axhendën e vet, në mandatin e parë, dhe tani po e shtyn me forcë, industrializimi i lehtë i vendit, stili Italian sigurisht, pra kompani të vogla dhe të mesme që prodhojnë produkte specifike për eksport, është duke ndodhur. Sigurisht është rrugë e gjatë, por është duke ndodhur” – tha Ministri Ahmetaj në një prononcim për mediat.

Administratori i kompanisë, Claudio Paganini, tha se ka gjetur mbështetje shumë të madhe për fillimin në një kohë shumë të shkurtër të biznesit të tij në Shqipëri.

“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu. Kjo është një fushë strategjike për ne, jemi këtu me këtë produkt, që është një produkt për makinat. Bëjmë 95 % eksport dhe jemi të sigurt se do të jetë një sukses. Jemi vërtet të kënaqur që jemi këtu sepse përveç të tjerash kemi gjetur një ent, si AIDA, mbështetja e së cilës ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse nuk njihnim vendin, nuk njihim askënd, pra ishte një ndihmesë e madhe. Kjo ishte për ne vërtet e rëndësishme, kështu që faleminderit” – tha Paganini.

I pyetur se sa kanë ndikuar lehtësitë e ofruara nga qeveria për ardhjen në Shqipëri të kompanisë italainë, Ministri Ahmetaj tha:

“Grupi Italian përmendi disa nga lehtësitë. Patjetër është lehtësia që ne kemi krijuar me heqjen e TVSH së makinerive dhe pajisjeve, është imazhi i mirë i përmirësuar i Shqipërisë, është dëshira për të mësuar. Më thane që nuk kanë ardhur këtu për koston e lirë të fuqisë punëtore, përkundrazi. Janë këtu për arsye të tjera, që nga ambientit i të bërit biznes, që nga afërsia me tregjet, që nga sistemi tatimor, që nga lehtësia e futjes së makinerive dhe pajisjeve, etj. Realisht ndihem shumë i kënaqur që pashë diçka të kësaj natyre specifike që rrit gamën e eksporteve shqiptare” – u shpreh Ahmetaj.

Mabiel me qendër në Torino, është një nga dy kompanitë në botë për prodhimin e pjesëve specifike të guarniconeve të makinave, konkretisht shirita me fije metalike dhe sintetike që vendosen si skelete në pjesën e brendshme të profileve të gominave të makinës dhe kabinës elektrike.

Pas vendimit për internacionalizim në tregje të reja, grupi vendosi hapjen e kompanisë së dytë, Mabiel International me qendër në Vorë.


Antonio Baldacci: Shkodra e Shqipërisë (pjesa e parë)

$
0
0
Shkodra, Kafja e Madhe

Antonio Baldacci (Bologna, 1867-1950), autori i artikullit në vijim “Shkodra e Shqipërisë”, ka qenë një botanist italian dhe gjeograf, specialist i studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike.

Që nga viti 1925 Baldacci u interesua kryesisht për Shqipërinë, jo vetëm duke u marrë me studime dhe botime të pavarura por, që nga viti 1928, bashkëpunoi me institucionet lokale në fushën shkencore dhe politike.

Nga viti 1931 deri në vitin 1939 ka qenë konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë në Bologna; në vitin 1942 mori pjesë në Këshillin administrativ të drejtorëve të Qendrës Studimore të Shqipërisë pranë Akademisë Italiane. Deri në vitin 1943 ka qenë anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe Këshilltar kulturor i Luogotenencës së Përgjithshme në Shqipëri.

Ka lënë rreth 250 botime, përfshirë artikujt e botuar në revista dhe në vepra të ndryshme: ndër më kryesoret janë Itinerari albanesi (Itineraret shqiptare), Romë, Shoqëria Gjeografike Italiane, 1917; L’Albania (Shqipëria), Roma, Instituti për Evropën Lindore, 1929; Scritti Adriatici I (Shkrimet Adriatike I), Bologna, Kompozitorët, 1943, bocat e veprës së papublikuar «Leonardo da Vinci e il mondo delle piante» (Leonardo da Vinçi dhe bota e bimëve).

Nga Baldacci kemi trashëguar gjithashtu një arkiv shumë të pasur dhe bibliotekën e tij personale, që ruhet në Bibliotekën publike në Archiginnasio di Bologna, dhe natyrisht koleksionet e bimëve që gjenden në muzetë e Italisë dhe të huaj.

  • Marrë nga Revista ITALIA!, Scutari d’Albania, A. BALDACCI
  • Përkthimi në gjuhën shqipe: Gino LUKA

Shkodra e Shqipërisë – pjesa e parë

Shkodra

Shkodra, ka qenë padyshim ndër shekuj, një qytet shumë i lashtë ilir, një qendër e populluar dhe e pasur qysh nga parahistoria, jo vetëm për sa i përket rrethinave afër liqenit, por edhe në të gjithë rajonin kryeqytet i të cilit ka qenë.

Pra, Shkodra ka lulëzuar më shumë se Lezha (Lissus) dhe Duklja (Doclea, Shtet mesjetar serb) gjatë një periudhe, mjaft të gjatë, që përfshin qytetërimin e lashtë. Ka qenë qyteti i parë që gjendet afër Drinit dhe qyteti i dytë romak, i njohur në krahun e kundërt të liqenit, nga ku derdhet Morava.

Emri i lashtë u ka mbetur shqiptarëve të sotëm që vazhdojnë ta quajnë Shkodra (Scodra) si paraardhësit e tyre të largët që Homeri i njihte si γίγαντες, gjigantët dhe që janë gegët e sotëm: Shkodra ka mbetur kryeqendra e Gegënisë shqiptare dhe e vilajetit homonim. Duke u nisur nga emri Shkodra, sllavët e quajtën Skadar dhe italianët Scutari. Turqit e vazhdojnë ta quajnë atë me emrin ilir.

Qyteti ngrihet në skajin verior të rajonit detar shqiptar dhe sot gjendet madhështor dy kilometra larg liqenit; nga ku nisen edhe rrugët e rëndësishme që çojnë drejt Danubit, Adriatikut, Jonit dhe Egjeut që njohën tregtitë me vendet më të largëta; me ilirët, fenikasit, grekët, romakët e bizantinët.

Shkodra, qyteti i parë i Lindjes që ndeshet duke shkuar nga Italia, ka ruajtur krejt një fizionomi bizantine-turke në veçorinë e saj përgjithësisht gege. Fillimisht duket si shumë e çuditshme, me kopshte të shumtë dhe të mëdhenj të rrethuar me mure të larta, me rrugë pa njerëz dhe me ndërtesat e shpërndara në mënyrë jo uniforme. Mund të thuhet se i huaji nuk e ka gjetur ende qytetin, kur ka kohë që ka hyrë brenda perimetrit të qytetit. Kur hyjmë në Shkodër gjatë ditës kemi një përshtypje krejtësisht të ndryshme në krahasim me atë kur hyjmë natën.

Në errësirën e thellë të natës pa yje, kemi një ndjenjë emocionuese dhe fantastike, ndërsa e ndriçuar nga hëna e argjendtë, Shkodra tregon nuancat e saj më të përsosura orientale. Nga rrugët dredha-dredha dhe rrugicat, të heshtura dhe të errëta, dalim në rrugë të gjera e gjallërisht të bardha nga drita e hënës, në të cilat dëgjohet jehona e hapave me ritmin e ecjes së kuajve, së bashku me hijet e çuditshme që projektohen në të gjithë atë bardhësi.

Panoramë, Shkodra

Ndonjë kafe e hapur ku luhet bilardo, përfaqëson jetën që shihet jashtë shtëpive plotësisht të mbyllura, të paarritshme nga shikimet profane. Pas mureve të larta të kopshteve dhe të oborreve zbulohen kostume të panjohura që të sjellin ndërmend butësinë orientale. Qentë hungërojnë, duke turbulluar vetëm heshtjen sovrane. Dita është diçka tjetër: i gjithë qyteti duket sikur ka dalë në rrugë. Burra dhe gra – sigurisht, edhe gratë myslimane – ushtari, prifti e frati madje edhe hoxha turk: të gjithë kanë diçka për të bërë.

Për të parë Shkodrën duhet të ngjitemi në Tarabosh ose në Kodrën e Rozafës, e cila çon në kështjellën e lashtë që ka njohur ata që ishin sundimtarët e qytetit dhe, bashkë me qytetin, edhe të rajonit.

Nga Rozafa shpaloset një pamje e mrekullueshme e qytetit të paanë dhe të populluar, lagjet periferike si Bahçalleku, Tabake, pazari dhe, matanë urës, lagja e magjypëve. Kupolat e xhamive të Shkodrës me njëzet minaret e tyre, ndërtesa ushtarake, shtëpi dhe shtëpiza që përbëjnë qytetin e pafund, gjelbërimi i pasur i fushës kënetore, amfiteatri i maleve që mbivendosen dhe Alpet e mrekullueshme e të frikshme shqiptare, që prej brigjeve të Kirit e të Drinit, shtrihen në anën tjetër në çdo drejtim kah Mali i Zi. Liqeni i paanë vezullues nën rrezet e diellit dhe ujërat e argjendta të lumenjve, ofrojnë një pamje madhështore që me të vërtetë meriton të admirohet.

Sipas Hahn etimologjia e emrit Scodra e ka prejardhjen nga fjala shqipe kodve (kodër), domethënë kodra e rrëpirët që ngrihet nga mesi i fushës dhe që mban përsipër kështjellën, e cila padyshim ka qenë bërthama e parë e qytetit, kur terreni aluvional u depozitua në shumë e shumë shekuj me radhë, kur Shkodra e sotme ende nuk ekzistonte, dhe liqeni i Shkodrës nuk ishte asgjë tjetër përveçse një gji i pamasë moçalor i Adriatikut e shtrihej ndërmjet kepit të Shëngjinit dhe Kepit të Rodonit.

Në mes të këtij harku gjendej një arkipelag i vogël ishujsh gëlqerorë, të cilët sot shquhen si kodra nga formimet aluvionale ndërmjet Bunës dhe Drinit, nga të cilat qyteti i Shkodrës ishte një nga më të vegjlit, por në një pozicion më të mirë pranë Alpeve e përballë detit, për mbrojtjen e rajonit dhe zhvillimin e tregtisë.

Mendimi se Shkodra e lashtë ishte e ndërtuar në Kodrën e Rozafës është vërtetuar nga njëqind shembuj të tjerë të vendeve të rëndësishme në historinë e rajonit, ai që më vonë ishte Labeatium dhe që Roma filloi të nënshtrojë, pas disfatës së Gentit, 168 vjet para Krishtit.

Para kësaj kohe, Shkodra ka qenë një qytet grek, i fortë dhe i pasur, që ruante pavarësinë e saj ekonomike dhe politike; edhe pse Iliria duket se brenda historisë së qytetërimit nuk kishte hyrë veçse si emër. Shkrimtarët e kohës e konsideronin Ilirinë një vend të egër dhe ilirët, të cilët konsideroheshin nga antikët si një racë krejt e ndryshme nga të tjerat në gadishull, gëzonin reputacionin e barbarëve; ata, gjithashtu, sipas zakonit të Trakëve, pikturonin trupat e tyre dhe bënin fli (thernin njerëz për nder të hyjnive).

Kështjella pati një rëndësi të konsiderueshme edhe nën mbretërinë serbe. Një legjendë serbe gjithashtu ia atribuon rindërtimin e saj Mbretit Vukashin dhe dy vëllezërve të tij. Sigurisht, kalaja ishte dëmtuar gjatë periudhës së rënies së Perandorisë Romake.

Kalaja e Shkodrës 1877, Biblioteca Ambrosiana, Firenze.
Kalaja e Shkodrës 1877, Biblioteca Ambrosiana, Firenze.

Meqë serbët u vendosën mbi rrënojat e Oppidum civium Romanorum (siç e quanin historianët romakë për antonomazi Shkodrën), e meqë ishin të bindur për pozicionin shumë të fortë dhe strategjik që ofronte kodra për të mbrojtur Zentën (Senta, Serbi, Provinca autonome e Vojvodinës) bashkë me rajonin e liqenit të Shkodrës, rindërtuan kështjellën.

Sipas legjendës puna e mbretit serb u sabotua për disa vite me radhë nga një Orë e zezë që vinte nga malet për të shkatërruar gjatë natës atë që vëllezërit kishin ndërtuar gjatë ditës. Pas një kohe të gjatë e pas shumë lutjesh, Ora më në fund e lejoi mbretin dhe vëllezërit e tij që së bashku me punëtorët ta përfundonin punën, por me kusht që të tre vëllezërit të angazhoheshin për të sakrifikuar në themele gruan e parë të njërit nga vëllezërit, atë që do të vinte për t’i sjellë atyre bukën.

Këngët sllave dhe shqiptare e përshkruajnë kështu fatin e gruas fatkeqe të Goikos, njërit nga vëllezërit e Vukashinit, të cilës i takoi fati barbar që Ora i kishte caktuar.

Në fakt legjenda dhe historia e kanë zanafillën në kohën kur u vunë themelet e shtëpive të para të qytetit të Shkodrës, në rrëzë të kalasë.

Pas shuarjes së familjes Balsha, banorët e Shkodrës me dëshirën e tyre i kërkuan mbrojtje Venedikut: në vitin 1474 ata përballuan për herë të parë sulmin e ushtrisë turke që udhëhiqej nga Sulejman pasha. Mbrojtja heroike e Antonio Loredano-s u përjetësua në pikturën e Veronese-s që zbukuron dhomën e Këshillit të Madh në Venecia dhe që ka diçiturën e mëposhtme: «Scodra, bellico omni apparatu diu vehementerque a turco oppugnata, a cerrima propugnatione retinetur». (Shkodra, e sulmuar me ngulm nga turqit me gjithfarësoj armësh, e përballon rrethimin e egër, heroikisht.)

Paolo Veronese - Siege of Shkodra

Sulltani e rifilloi ofensivën në fillim të qershorit 1478, me një ushtri më të madhe se më parë: kalorësia kishte marrë urdhër që të bënte tym e flakë katundet, ndërsa trupat e këmbësorisë, së bashku me katër mijë jeniçerë, që iu shtuan në mesin e qershorit, kishin detyrë rrethimin e qytetit.

Thuhet se dhjetë mijë deve transportonin municionin dhe topat për trupat e ushtrisë turke. Mbrojtja e të rrethuarve ishte nën drejtimin e Antonio di Lezze . Zjarri filloi më 22 qershor, por rrethimi vazhdoi deri në janar të vitit 1479, derisa arriti shpallja e traktatit që ishte firmosur ndërmjet Portës dhe Republikës me urdhër për t’ia dorëzuar kështjellën trupave osmane.

Mbrojtësve u dha mundësia të tërhiqeshin duke ruajtur nderin e armëve. Kur Antonio di Lezze u largua, duke e lënë kështjellën që kishte mbrojtur në mënyrë heroike, nuk kishte me vete veç 450 burra dhe 150 gra që e ndoqën atë në Venecia duke marre më vete reliket, enët e shenjta, artilerinë dhe atë që kishte mbetur nga pasuria e tyre. Historiani Hammer meriton të përmendet për historinë që përshkruan. Kjo faqe e rëndësishme por pak e njohur e lavdisë së Venedikut duhet t’i bëjë të mendohen italianët.

Pas largimit të Antonio di Lezze, mbetën muret e kështjellës për të demonstruar aftësitë e punëtorëve dhe të ushtarëve të Republikës që përshtatën për mbrojtje njërën nga fortesat më të fuqishme, kundër së cilës pa shpresë u përplasën furia dhe forca e gjysmëhënës. Por luani i Shën Markut që rrinte duke ruajtur mbi derën kryesore u zhduk nën goditjet e kazmës së turqve dhe asnjë kujtim, megjithëse shumë e kam kërkuar, nuk ka mbetur nga emblema e fundit e Serenissima-s. Degrand, i cili vizitoi kështjellën pesëmbëdhjetë vjet më parë, shkruan:

«Kisha që ka mbetur është transformuar në xhami; rrufeja, kohë pas kohe e ka goditur dhe rrëzuar minaren; turqit superstioz e kanë braktisur dhe e kanë transformuar në një magazinë, hekurat e bukur të punuar me teknikën e ferobatutit venecian zbukurojnë akoma njërën nga dritaret e saj. A i ishte kushtuar Shën Lazrit apo Shën Shtjefnit, patronit të Shkodrës? Askush nuk e di; nuk ka mbetur më asgjë tjetër për të parë në këtë vend ku ditë ankthi janë jetuar: ndoshta, ndonjëherë, nën atë tokë të mbuluar me bar të dendur me siguri mund të gjejmë kujtime interesante».

«Guvernatorët, duke mos i besuar shqiptarëve në përgjithësi, kanë jetuar për shumë vite në kështjellë ku edhe kanë kryer shërbimet e tyre administrative; të rrethuar nga trupat ushtarake dhe me topat e drejtuar nga qyteti. Nuk ka mbetur asgjë tjetër në fortesë përveç të dënuarve në pritje të momentit kur ata do të dërgohen në internim, dhe të ushtarëve që unë i pashë duke shërbyer pa entuziazëm e që zbatonin rregulloret e ligjet e kohës».

Edhe sot, pas mureve të larta të kopshteve, mund të kuptohet mirëqenia e popullsisë, megjithëse e zvogëluar. Në të kaluarën Shkodra ka qenë gjithashtu e pasur dhe e begatë dhe sidomos trafiqet me Venedikun e kishin ngritur atë në një nivel të lartë ekonomik. Nga kjo madhështi e kaluar, kemi sot një provë të dukshme në pazar, për të cilin specialistët na sigurojnë se është shumë interesant.

Ura e Bunës

Pazari i Shkodrës gjendet rreth tre kilometra larg qytetit në drejtim të vardarit të Bunës dhe Liqenit, në këmbët e kodrës, ku gjendet kështjella: ka një rrugë kryesore dhe disa anësore me një labirint rrugësh të ngushta dhe një rrjet rrugicash që në kohën e fryrjes së ujërave të liqenit mbeten të përmbytura.

Muhamedan Shkodër
Muhamedan Shkodër
Muhamedane me kostum shtëpie, Shkodër
Muhamedane me kostum shtëpie, Shkodër

Në pazar, zhvillohet jeta tregtare e qytetit dhe e zonës malore të Shkodrës, të cilën shqiptarët e quajnë Malësi. Vëzhguesi ka material të pashtershëm për studimet e tij sepse Shkodra bën pjesë me të vërtetë me Lindjen për sa u përket kostumeve shumë të larmishme të fiseve të saj, dhe tregtari e gjen të gjithë jetën tregtare të Lindjes të përqendruar në këtë pazar.

I huaji që viziton pazarin të mërkurën, ditën e tregut, kupton se interesi është i dukshëm, por këtë ditë shumë të mbushur me njerëz dhe plot gjallëri këshillohet të bëjmë vetëm vëzhgime, ndërsa ditët e tjera, më të qeta, mund të shërbejnë për blerjet e produkteve origjinale të vendit. Disa prej këtyre produkteve janë të veçanta e interesante, si punimet e arit dhe të argjendit, ato janë shumë antike dhe meritojnë një konsideratë artistike të lartë.

Dyqanxhitë e kalojnë gjithë ditën në pazar, nga mëngjesi deri në darkë, derisa të kthehen në qytet, ku banojnë me familjet e tyre. Natën, pazari lihet në dorë të ushtarëve që e kanë vendrojën e tyre te porti, afër doganës dhe urës. Për më tepër, edhe nëse dikush ka dëshirë të qëndrojë, asnjë ngrehinë nuk mund të banohet në pazar sepse, duke qenë pothuajse të gjitha ndërtesat prej druri, shkëndija më e vogël mund të zhvillojë një zjarr që do të shkaktonte dëme të pallogaritshme. Në ato ndërtesa nuk ka asnjë rehati as nga ata edhe më të thjeshtat për shijet lokale.

Të zotët e vërtetë të pazarit janë shqiptarët, mysliman dhe të krishterë; ato pak tregtarë të huaj, italianë, austriakë, malazezë dhe grekë i kanë dyqanet e tyre në qytet. Në përgjithësi, shkodranët janë pasardhës të familjeve që kanë ardhur në kohët e shkuara nga çdo pjesë e malësisë gege ose të Zadrimës në kërkim të fatit ose për t’i shpëtuar hakmarrjes ose janë rezultat i emigrimit mysliman nga Mali i Zi, veçanërisht nga provincat që turqit u detyruan të braktisnin e t’ua linin gradualisht Petroviçëve pas luftërave kundër atij vendi: jo pak prej tyre e kanë prejardhjen nga familjet e zyrtarëve dhe të ushtarakëve osmanë.

Një numër i vogël i familjeve janë hebrenj, ka edhe pak arabë; numrat që bien në sy më shumë janë italianët, austriakët dhe grekët: megjithëse pas shumë kohësh familjet malazeze, nënshtetas ose jo të qeverisë së Cetinës, mbajnë vendin e parë, menjëherë pas popullsisë shqiptare.

Studiuesit që do të mund të jenë në gjendje të bëjnë kërkime nëpërmjet traditave, pa dyshim do të gjejnë edhe në Shkodër dhe në rrethina, ashtu si në pjesën tjetër të Malësisë, shumë pasardhës të atyre familjeve që Roma pati dërguar dikur si kolonë në Ilirinë e pushtuar dhe që ende mbijetojnë sot në numër të madh në Shqipërinë qendrore dhe në Epir.

Malësia e Madhe, Shkodër. 1890.
Malësia e Madhe, Shkodër. 1890.
Çift katolik, Shkodër, 1890.
Çift katolik, Shkodër, 1890.
Çift mysliman, Shkodër, 1873
Çift mysliman, Shkodër, 1873

Bibliografia

  • (1) A. BALDACCI, Note statistiche sul vilayet di Scutari e la legge della montagna albanese, in «Rivista geografica italiana», VII, 1901.

Internet

Vanity Fair: “Tirana, e re, e lirë dhe e egër”

$
0
0
Tirana nga Oltion Kola

Shqipëria çdo ditë e më tepër, po shihet si një destinacion turistik, ku ndryshimet e vrullshme, nuk kalojnë pa u vënë re as nga revistat e mëdha ndërkombëtare.

Prestigjiozja italiane, “Vanity Fair”, i ka kushtuar një artikull ndryshimit të kryeqytetit të shqiptarëve.

Artikulli evidenton pikat e shumta turistike, lokalet, restorantet dhe dëshirën e qytetit për të ndryshuar, sipas trendit të kryeqyteteve europiane

Tirana nga Oltion Kola 2

Artikulli i plotë

Tirana nuk po ndalon për asnjë çast. Kjo është ndjenja për të gjithë ju që keni ecur nëpër rrugët kaotike të kryeqytetit shqiptar. Kantiere ndërtimi, vinça, skela, arkitektë në punë, të gjithë të angazhuar për të rizhvilluar një qytet dhe që sot mban kreun e kryeqyteteve në “modë” për Europën. Për të ‘kapur’ atmosferën e Tiranës, ku arkitektët më të rëndësishëm nga e gjithë Europa po investojnë idetë dhe projektet, shkojmë në sheshin Skënderbej, dedikuar heroit shqiptar që çliroi Shqipërinë pas 400 vite pushtim nga Perandoria Osmane.

Sheshi i ri, inauguruar në qershor 2017, ka qenë objekt i një plani rizhvillimi realizuar nga studio belge 51N4E, që e ktheu ketë zonë në pedonale me pllaka, mermer, gur nga të gjitha territoret shqiptare brenda apo jashtë kufijve kombëtarë (si Kosova).

Është një tjetër, por projekti që po zhvillohet tani: me distancë prej gati 80 vitesh nga plani i parë rregullues i kryeqytetit (në 1939, pas pushtimit italian të Shqipërisë, arkitektit Gherardo Bosio ka projektuar qendrën aktuale Tiranës), fati i arkitekturës së qytetit i është besuar sërish një italiani.

Faza e fundit për zhvillimit urbanistik është në fakt, Tirana 2030-TR030 nga studioja e arkitektit Stefano Boerit, promovuar nga qeveria qendrore në bashkëpunim me administratën lokale. Qëllimi i projektit është që të rigjallërojë hapësirën publike, të zhvillojë një sistem të pyllit orbital rreth e qark metropolit (duke përfshirë edhe parqet natyrore dhe duke ruajtur biodiversitetin egzistues), të krijojë korridore të reja ekologjikë përgjatë lumenjve, të ngrejë qytete të vogla dhe të shfrytëzojnë hapësira të lira të tokës. Një projekt ambicioz por i realizueshëm sepse këtu më shumë se diku tjetër, ndjehet dëshira për ripërtëritje.

Arti brenda në Bunker

Qendra e Tiranës po zhvillohet e gjitha përreth Sheshit Skënderbej. Një katërkëndësh i mbushur me kopështe, kisha, xhami dhe muze, si Muzeu Historik Kombëtar, brenda të cilit tregohet historia e Shqipërisë nga paleolitiku deri tek komunizmi, “Bunk’Art2” që i dedikohet viktimave të regjimit komunist që është ndërtuar në dhomat e një bunkeri të vjetër (përllogaritet se në të gjithë Shqipërinë ndodhen më shumë se 700 000 bunkerë, të ndërtuar nga diktatori Enver Hoxha që i druhej një sulmi të jashtëm, që nuk ndodhi asnjëherë) apo Shtëpia e Gjetheve, në dhomat e të cilave janë ekspozuar arkivat e Sigurimit, policia sekrete shqiptare që operonte në vitet e diktaturës. Ia vlen të largohesh nga qendrën por për të vajtur në “Bunk’Art” 1, bunkeri gjigant kundëratomik i Hoxhës që ndodhet buzë malit të Dajtit, sapo del nga Tirana.

Bunk’Art2, Tiranë

 

Brenda ilustrohet në mënyrë të detajuar historia moderne e vendit, që nga pushtimi italian deri në vitet e komunizmit, me një vëmendje të veçantë në jetën e përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të regjimit.

Kuzhina e re shqiptare

Restorante bashkëkohore të arreduara, lokale në pararojë dhe të vëmendshëm ndaj inovacionit dhe cilësisë së produkteve.

Ky është “Mullixhiu” ku kuzhinieri Bledar Kola, një prej pionerëve të “slow food” shqiptar, që mban mbi supe eksperienca prestigjioze ndërkombëtare, rikrijon me mjeshtëri gatime tipike të traditës popullore duke përdorur ekskluzivisht përbërësit që vijnë nga “Mrizi i Zanave”, një restorant-fermë-agroturistike që ndodhet vetëm një orë me makinë nga kryeqyteti (në Lezhë). E gjitha në një vend të përsosur, përballë liqenit artificial të Tiranës.

Mullixhiu, Bledar Kola

Në zemër të qytetit, dy hapa larg Ambasadës Italiane, ndodhet “Padam”, që është një pikë referimi për klientelën ndërkombëtare. Këtu, në ambientet e një vile elegante italiane të viteve ’30, kuzhinieri Fundim Gjepali, që është edhe në krye të restorantit “Antico Arco di Roma”, realizon gatime “nouvelle cuisine” (kuzhina e re) që nuk ka të krahasuar dhe propozon një menu të pasur me verëra të zgjedhura me kujdes. Të gjitha këto mund të përmblidhen me kërkimin e origjinalitetit, dëshirën për të eksperimentuar dhe qëllimin për të transformuar Tiranën në një laborator të madh kulinarie.

Aromë tradicionale, Pazari i Ri

Në mars të vitit të kaluar u perurua Pazari i Ri, falë një vepre rikonstruktimi që ka transformuar një zonë të tërë të harruar dhe të braktisur të kryeqytetit, në një prej adresave më të pëlqyera nga turistët dhe nga vetë banorët. Kështu, edhe Tirana është pajisur me një treg europian, që të kujton të famshmen “Boqueria” në Barcelonë.

Me fasadat e pikturuara sipas motiveve gjeometrike tipike ballkanike, një mbulesë moderne prej xhami dhe çeliku, hapësira të gjera për kalimtarët, kafene që janë të hapura gjithë ditën, stenda të mbushura plot produkte të freskëta.

Pazari i ri, Tiranë

Pazari i ri është vendi ideal për t’u çlodhur dhe të bësh blerje interesante (me patjetër duhen blerë djathërat e zonës, si gjiza, që përdoret për të gatuar byrekun, një gatim tipik i përhapur në të gjithë zonën e Ballkanit që realizohet me petë, erëza dhe pak artizanat). Pasi bën pak “shopping” të shëndetshëm, ia vlen të ndalosh për një ngrënie të shpejtë tek Oda, i vetmi restorant në Tiranë ku mund të shijohet kuzhina tipike tradicionale

Tirana nuk fle kurrë

Për këdo që është në kërkimi të argëtimit, Blloku është vendi: lagja e dikurshme e ndaluar, e cila është e disponueshme vetëm për komunistët, është sot zona më cool në Tiranë, e cila frekuentohet nga të rinjtë shqiptarë në çdo kohë të ditës (dhe natën). Vende të shumta, si Radio Bar, Nouvelle Vague, Colonial Cocktails Academy, ku mund të ndaloni të shijoni një kafe me aromë të fortë ose një koktej të bërë me fruta të freskëta. Sidoqoftë, e gjithë zona meriton një vizitë, në sajë të aktivitetit të gjallë kulturor që e dallon.

Në të vërtetë, ka shumë qendra të artit bashkëkohor dhe artit të rrugës. Për të shijuar rakinë aromatike të rrushit tipike të Ballkanit, është e domosdoshme të arrihet te “Komiteti”, një kafene-muze me furnizime të epokës komuniste që ofron mbi njëzet variacione të likerit lokal. Kafeneja është e fshehur prapa Piramidës së Tiranës, e ndërtuar në nder të Hoxhës nga vajza dhe dhëndri i saj, pak pas vdekjes së tij. Thuhet se ekziston një projekt për ta kthyer atë në një qendër kulturore, por për momentin ky skelet betoni është atje, i palëvizshëm, në mes të qytetit. Ndërsa gjithçka rreth Tiranës lëviz dhe nuk ndalet për një moment.

/VanityFair.it, perkthyer nga Neada Muçaj, Business Mag Albania

Sipërmarrësit shqiptarë në Itali, dominojnë ndërtuesit; Në 2017-n u mbyllën 1300 kompani

$
0
0
Sipërmarrësit shqiptarë në Itali

Në fund të vitit që lamë pas sipas Bashkimit të Dhomave të Tregtisë së Italisë dhe të Movimrepse numëroheshim 30,021 sipërmarrje të themeluara nga emigrantët shqiptar në të gjithë Italinë.

E megjithatë sipërmarrjet shqiptare kanë njohur tkurrje gjatë 2017-s, duke operuar 1308 njësi biznesi më pak.

Sipas të dhënave të publikuara, sektori që ka numrin më të lartë të bizneseve të themeluara nga shqiptarët sigurisht që është ndërtimit. 19,511 biznese, nga 30,021 në total, operojnë në fushën e ndërtimeve të specializuara, ndërsa 2,979 operojnë në fushën e ndërtimeve të godinave. Bizneset në sektorin e ndërtimeve zënë thuajse 72 për qind të totalit të gjithë aktiviteteve të shqiptarëve në Itali.

Në sektorin e tregtisë me pakicë dhe shumicë, si dhe në sektorin e shërbimeve operojnë përkatësisht rreth 16 për qind e sipërmarrjeve të themeluara nga shqiptarët.

Pesha e sipërmarrjeve është më e ulët në sektorët prodhues, agro-përpunues dhe transport, ku sipërmarrjet shqiptare përllogariten të jenë rreth 2000.

Për sa i përket qyteteve italiane ku sipërmarrësit shqiptarë kanë marrë më së shumti iniciativë të ngrenë bizneset e tyre janë: Firence me 1,702 biznese, Milano me 1,608 biznese, Genova me 1,356 biznese, Torino me 1031 biznese, Savona me 998, Roma me 917 biznese, Perugia me 702. Qytetet në jug të Italisë kanë një numër më të vogël të bizneseve me themelues shqiptarë.

Në totalin e sipërmarrjeve të themeluara nga të huajt, sipërmarrjet shqiptare kanë një peshë vetëm 4 për qind dhe renditën të katërt, pas sipërmarrjeve të themeluar nga kinezët, marokenët dhe rumunët.

Sipërmarrjet e themeluara nga emigrantët në Itali

Edhe pse përfaqësojnë rreth 8.3 për qind të popullsisë, emigrantët kanë themeluar rreth 9.6 për qind të sipërmarrjeve aktive në shtetin Italian. Sipas të dhënave të përpunuara nga Dhomat e Bashkimit Tregtar dhe Movimprese, në fund të vitit 2017, ishin rreth 587 mijë sipërmarrje aktive të themeluara nga emigrantët në Itali, me një rritje me 19 mijë ndërmarrje krahasuar menjë vit më parë. Një vit më parë sipërmarrjet e themeluara nga të huajt ishin 575 mijë, me një ritëm rritje më të ulët se në 2017-n.

Bizneset shqiptare në Itali

Lexo gjithashtu

Majko: Kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi kombëtare

$
0
0
Pandeli Majko

U deshën 27 vjet që më në fund ne shqiptarët jashtë Shqipërisë të kemi ministrin tonë. Vonë, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Zoti Majko, a mendoni se kjo vonesë ka koston e saj dhe cilat janë hapat që keni ndërmmarë tashmë për organizimin e Diasporës?

Në këndvështrimin e organizimit të Diasporës asnjëherë nuk mund të thuhet se jemi vonuar. Sigurisht mund të ketë një vlerësim të kohës së kaluar si kohë e humbur, por nuk mendoj se jemi vonë.

Bëhet fjalë edhe për faktin që jemi duke mësuar nga gabimet tona dhe shpesh në historinë tonë ne si komb kemi mësuar nga gabimet më shumë se sa të kopjojmë nga modelet e kombeve të tjera. Në fushën e organizimit të Diasporës mendoj se jemi duke bërë një punë mjaft të mirë qysh në hapat e para.

Së pari kemi shmangur një lloj keqtrajtimi që mund të ndodhte nëse Shqipëria dhe Kosova; por edhe Maqedonia do ti trajtonim komunitetet shqiptare në mënyrë të ndarë.

Për fat të mirë kjo është tejkaluar falë edhe marrëveshjes që kanë bërë dy qeveritë e Prishtinës dhe e Tiranës dhe komunitetet shqiptare do të trajtohen si të plota. Kjo do të thotë që ne nuk do të krijojmë asnjë lloj ndarje në drejtim të organizimit të tyre.

Nëse të gjithë shqiptarët jashtë duhet të trajtohen të pandarë atëherë duhet gjetur mënyra se si mund të dirigjohet nga poshtë kjo strategji. Mos ndoshta duhet vetëm një ministri më e madhe apo institucione të tjera më praktike?

Jemi duke menduar për ndërtimin e një politike shtetërore që të mos jetë e fokusuar tek emri ministri, pasi në thelb ka një histori deri diku kontraverse lidhur me faktin nëse është efektive apo përgjigjja më e mirë për organizimin e Diasporës krijimi vetëm i një ministrie.

Në thelb Diaspora nuk është një çështje politike. Por krijimi i politikës shtetërore padiskutim për Diasporën është një çështje politike. Dhe parë nga ky këndvështrim ne kemi filluar një reformë të mirëfilltë legjislative.

Kur them legjislative, flas për një strukturë ligjore që nuk do të ketë mundësi të shkrihet por të ringrihet me ndryshimin e çdo qeverie të rradhës. Pasi Diaspora nuk ka kohë të presë fillimin apo rifillimin e punës në marrëdhënie me të nga qeveria e rradhës.

Ajo që duam të nxisim në këtë moment është organizimi i Diasporës brënda vetes duke u këshilluar dhe jo duke u imponuar, pasi riorganizimi është një çështje shumë delikate, e cila ka të bëjë me krijimin apo kalimin nga faza e organizatave, në fazën e komunitetit.

Për këtë, ne duhet të themi që jemi shumë të kënaqur në nivelin e parë të organizatave që janë nëpër shtete të ndryshme, nëpër krahina të ndryshme, por si koncept komunitar, komuniteti i shqiptarëve në nivel shtetëror ka probleme.

Pikërishtë këtu ne jemi fokusuar por, po e përsëris edhe një herë, jo duke u imponuar, por duke qenë në krah të iniciativave që kanë të bëjnë me riorganizimin e Diasporës. Një organizim ky që ka më tepër efekte koordinuese se sa efekte të përzgjedhjes të individëve me interesa politike të caktuara.

Në krahun tjetër i kemi vënë një rëndësi shumë të madhe çështjes së bizneseve të Diasporës për ti lidhur ato më fort me vendlindjen dhe po ashtu të regjistrimit të kapacitetve intelektuale që kemi në Diasporë.

Për fat të keq, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova ende nuk kanë një njohje të plotë të kapaciteteve intelektuale që ata kanë në Diasporë. Ndaj ne shpesh për të dhënë opinione për projekte të ndryshme, flas më shumë për Shqipërinë, jemi të orientuar që të marrim ekspertë të huaj, ndërkohë që kemi ekspertë shqiptarë, të cilët kanë shkëlqyer me plot kuptimin e fjalës në vendet ku ata kanë vajtur. Një tjetër moment shumë delikat është problemi i arsimit dhe identitetit. Jemi thelbësisht vonë.

Në këtë këndvështrim, dua ta them pa as më të voglin kompliment se mësuesit tanë janë heronjtë e Diasporës. Gjithashtu është për tu nënvizuar fakti se një pjesë e problematikës që ka të bëjë me arsimin nuk vjen nga mësuesit që punojnë shpesh edhe vullnetarisht, por vjen nga mënyra e koordinimit të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë lidhur me këtë çështje.

Jemi duke punuar shumë në këtë drejtim, madje sapo është bërë një tavolinë e rrumbullakët në Tiranë me ministrat e Diasporës dhe ministrat e arsimit dhe shpresoj që të kemi një konluzion sa më të shpejtë në këtë drejtim pasi rrezikojmë që në dhjetë vitete e ardhëshme nëse nuk merremi seriozisht me çështjen e arsimimit ne do të humbasim rreth 200 mijë shqiptarë, të cilët do të asimilohen dhe nuk do të pranojnë që janë shqiptarë në të ardhmen e afërt. Pra pa bërë asnjë luftë, kombi shqiptar do të humbasë 200 mijë vetë. Kjo që them është e dhimbshme, por duhet pohuar si e tillë.

Ju përmendët gabimet e së kaluarës në drejtim të angazhimit për Diasporën. Por cila është më e prekshme sipas jush që ka vend për të punuar dhe përmirësuar që këto gabime të mos përsëriten sipas jush? Mos harrojmë që sot Diaspora shqiptare përbën edhe një petencial të madh financiar dhe cilësor.

Mendoj mungesa e përgatitjes nga ana e jonë. Ne kemi një administratë, e cila mendon se është krijuar për t’ju shërbyer vetëm njerëzve që jetojnë në Shqipëri dhe jo atyre që kanë lënë vendin. Largimin nga vendi, administrata shqiptare e ka konceptuar si një problem personal dhe jo si një problem që ka të bëjë me konceptin e kombbërjes dhe kur flas për administratën nuk kam parasysh vetëm administratën që paguhet si e tillë, por kam parasysh edhe politikën që çështjen e Diasporës e ka trajtuar si një element të barasvlefshëm me një NGO.

Ne vonë e kuptuam që ajo që konsiderohej matematikë, është kthyer nga sasi në cilësi. Prandaj kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi kombëtare të shqiptarëve. Aktualisht gjysma e popullsisë është në Diapsorë, e cila mund të shumëfishojë përpjekjet e Shqipërisë qoftë për integrimin në Perëndim qoftë për sjelljen e investimeve të huaja.

Pra kemi kapitale të fjetura, qoftë intelektuale, qoftë financiare në Diasporë, të cilat si rezultat qoftë si madhësi apo të krijimit të mekanizmave të dobishme në këtë drejtim, ato flenë në distancë, ndërkohë që ne trokasim në dyert e Brukselit apo Uashingtoni për të kërkuar ndihma të natyrave të ndryshme, por që fare mirë mund ti gjejmë në Diasporën tonë.

Megjithatë zoti Majko është pak vështirë ti bësh bashkë shqiptarët, edhe pse nuk mungojnë kapacitetet intelektuale. Ju keni menduar si ministri për këtë fenomen, sepse ne jemi edhe nje kartëvizitë e Shqipërisë, sidomos artistët?

Përgjigje: Po përgjigjem duke ia nisur nga gjërat e thjeshta. Aktualisht shqiptarët në çdo shtet ku jetojnë mblidhen bashkë në dy data: Për ditën e flamurit në nëntor dhe për pavarësisnë e Kosovës në shkurt. Këto janë dy data që mblidhen vërtet shqiptarët. Ndërkohë ne po përpiqemi që të krijojmë data të tjera, si data që ka të bëjë me panair librash, data që kanë të bëjnë me aktivitete artistike, data që kanë të bëjnë me mbledhjet vjetore të mësuesve sipas shteteve apo të intelektualëve që për arsye shumë të thjeshta nuk aktivizohen në sistemin aktual të organizatave që ekzistojnë tek shqiptarët.

Këto dhe arsye të tjera besoj janë të mjaftueshme për të kuptuar që ne jemi shumë afër një suksesi të madh, por mund të jemi edhe shumë afër edhe një stanjacioni në vazhdim. Kështu që unë nuk dua të flas në këtë intervistë me ju thjesht me gjuhën e suksesitt apo të optimizmit. Dua të jem i qartë që jemi duke ecur në tehun e thikës në drejtim të një suksesi të madh, apo të një ridështimi të madh. Pra situata është shumë serioze, është sfiduese dhe ne jemi të shpërndarë në thuajse gjithë shtetet kryesore të botës.

Të mos harrojmë që shpesh ne jemi të suprizuar nga numri i shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit. Jemi të suprizuar nga kapacitetet intelektuale që Shqipëria ka humbur duke shkuar në vende të ndryshme të botës, duke filluar që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Bashkimi Europian deri në Australinë e largët.

Ajo që dua të veçoj është që ndërtimi i politikës së re shtetërore nuk është thjesht një marrëdhënie kontrolluese midis shtetit shqiptar apo shtetit të Kosovës me Diasporën. Në thelb është sfida reale se si ne do të rikonstruktojmë mënyrën e të kuptuarit të kombit në një marrëdhënie të re me veten dhe me atë që po na vjen si e ardhme.

Mos harrojmë po ashtu që jetojmë në kohën e globalizimit ku brënda ditës mund të udhëtosh në cepin më të largët të botës ku interneti të sfidon me informacione dhe ku ti duhet të gjesh një përgjigje dhe këtë përgjigjë më të mirë mund ta gjesh jo nga të huajtë por nga bashkëkombasit e tu.

Duhet të kuptojmë konceptin e ri të diplomacisë dhe të marrëdhënieve me kombet dhe ta kuptojmë se nuk është vetëm ambasadori bashkë me ambasadën, por është një komunitet shqiptarësh, i cili po të dijë të aktivizohet apo riorganizohet, bën punën e njëmijë ambasadave apo njëmijë ambasadorëve.

Ndërkohë ka nisur regjistrimi dhe po punohet edhe për mundësinë e votimit të shqiptarëve jashtë vendit. A mendoni zoti Majko se ka ardhur koha që Diaspora të ketë përfaqësues edhe në Parlament?

Diskutimi për këtë sapo ka filluar. Për fat të mirë është një diskutim që ka sjellë pohimin e gjithë faktorit politik të skenës politike shqiptare dhe ka qenë një pohim i fortë që të gjithë janë të gatshëm për votën e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Unë kam depozituar një dokument në Komisionin e Reformave të masave zgjedhore dhe me kënaqësi e them që gjithë palët e kanë mirëpritur dhe shpresoj që ajo të jetë një bazë për diskutim.

Për këtë temë në bëmë më 24 janar një konferencë me OSBE-në ku kishim ftuar përg´faqësuesit më me zë të gjitha komisioneve zgjedhore të zgjedhjeve të mëparshme pasi në fund fare janë Komisionet qëndrore zgjedhore janë ato që kanë memorizuar edhe gabimet që kemi bërë në të kaluarën në sistemet zgjedhore të mëparshme, por e rëndësishme është që të thuhet që për herë të parë OSBE-ja, ODIHR-i apo përfaqësuesit më në zë të shoqërisë civile ku sëbashku me ta kemi diskutuar në një tryezë të rrumbullakët përballë publikut për të drejtën e votës se shtetasve tanë jashtë vendit.

Nëse do të arrijmë një kompromis për këtë çështje, mendoj se do të jetë një risi, jo vetëm për shoqërinë shqiptare por edhe për skenën politike shqiptare. Shtetasit tanë në Diasporë janë njerëz që as shiten dhe as blihen. Ata kanë vetëm një qëllim dhe një interes në marrëdhënie me vendin e tyre: Ta shohin atë më mirë, më të zhvilluar dhe me një qeverisje sa më cilësore dhe të lidhur me Perëndimin.

Meqë bisedën po e bëjmë në Dyseldorf zoti Majko, si e vlerësoni Diasporën në Gjermani, roli e këtij vendi në angazhimin e Diasporës për të qenë Urë bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën?

Gjermania po ridimensonohet. Gjermania nuk është vetëm një shtet i fuqishëm, por është një cilësi europiane. Pa diskutim Diaspora shqiptare në Gjermani është një nga Diasporat më të rëndësishme në Bashkimin Europian. Jo vetëm nga pamja matematikore, por edhe nga ana cilësore. Sidomos vitet e fundit ku një pjesë e madhe e njerëzve që imigrojnë nga Shqipëria i janë drejtuar Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Por dua ta nënvizoj që nga institucionet gjermane kemi gjetur përkrahje goxha pozitive dhe besoj që bashkëpunimi në këtë drejtim do të jetë shumë efikas. Ne kemi nevojë që në këtë drejtim të marrim atë që është më e mira nga gjermanët. Në këtë kontekst mendoj se bashkepunimi me Gjermaninë kalon nga e nevojshmja tek e domosdoshmja. Kështu që edhe për këtë arsye bashkëpunimi me Gjermaninë nuk do të jetë retorik, por i lidhur me hapa praktik.

Një nga pikat mjaft me interes në kuadër të reformave për Diasporën është edhe krijimi i një gazete elektronike apo mundësia e hapjes së një televizioni. Në ç’fazë jeni aktualisht?

Kemi filluar nga disa hapa. Një nga këto është hapja e një kanali televiziv TVSH 3 i televizionit publik që është vetëm për Diasporën, pra ky do të jetë Televizioni i Diasporës. Por duhet të themi se vetë shoqëria njerëzore sot ka kaluar nga një shoqëri e televizionit tek shoqëria e internetit, e lidhjeve online. Këto koncpete e bëjnë të detyrueshme edhe një mënyrë veprimi në këtë drejtim.

Jemi duke diskutuar edhe disa projekte dhe ajo që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme është krijimi e Network-ve, të cilët do të lidhin njerëzit me profesione të njëjta jo vetëm brënda një shteti por edhe midis shteteve. Nëse e realizojmë këtë, ky besoj do të jetë suksesi më i madh në ndërtimin e një politike shtetërore për Diasporën.

Në momentin që një mjek, një inxhinjer do të fillojë të komunikojë me kolegët e vetë, me grupet e organizuara të të njëjtit profesion jo vetëm në Gjermani , Britani, Kanada apo SHBA, kjo do të jetë një mënyrë e funskionimit të shqiptarëve në një botë, e cila do të bëhet më e vogël, më e kontrollueshme duke u ndjerë edhe individualisht ashtu siç janë, në shtëpinë e tyre.

Së fundi, zoti Majko, çfarë risish na presin në Samitin e Diasporës në fund të vitit?

Besoj se në këtë Samit do të ketë gjëra më praktike, sepse emigrantët dhe Diaspora në përgjithësi nuk është e prirur të dëgjojë fjalë. Fjalët i merr era, thotë populli. Kështu që jemi duke menduar për gjëra më të matshme, më të kuptueshme dhe mbi të gjitha ky Samit të krijojë një rrugëtim, ku secili të kutojë që është pjesë e tij dhe se çfarë mund të bëhet më mirë.

Mjaft me sytë nga Brukseli, le të punojmë të rregullojmë shtëpinë tonë!

$
0
0
viti ballkanik Edi Rama dhe Jean-Claude Juncker

Presidenti i Komisionit Europian Jean – Claude Juncker, së bashku me Komisionerin për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Johannes Hahn, vizituan Shqipërinë më 25-26 shkurt 2018, në kuadër të “tour-it” ballkanik për të mbështetur perspektivën e këtyre vendeve për t’iu bashkuar familjes europiane në një të ardhme të afërt.

Dua t’a theksoj që në fillim dimensionin rajonal të vizitës së Presidentit Juncker, Komisionerit Hahn dhe Shefes së Politikës së Jashtme Mogherini në vendet e Ballkanit perëndimor, prezantuar në strategjinë e BE-së për zgjerimin në fillim të muajit shkurt.

Strategjia i ofron një perspektive të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor duke treguar vitin 2025 si vit në të cilin disa ose të gjitha vendet e rajonit mund t’i bashkohen BE-së, pasi procesi është i bazuar në meritën e secilit nga vendet për të avancuar në 6 fushat kryesore (six flagships initiatives) të prezantuara në strategji, të cilat janë: sundimi i ligjit, siguria dhe emigracioni, zhvillimi socio-ekonomik, rrjetëzimi i transportit dhe energjisë, axhenda digjitale dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypaleshe ndërmjet vendeve fqinje. Ndaj dhe vizita e Juncker dhe Hahn në Tiranë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor pikërisht pak javë pas prezantimit të Strategjisë për zgjerimin është një mesazh i qartë politik nga ana e BE-së, e cila shpreh vullnetin e palëkundur për integrimin e rajonit.

Në Tiranë jemi mësuar të ëndërrojmë vetëm gjëra të mëdha e presim që pas çdo vizite të ndodhi ndonjë mrekulli dhe përfundojmë që mbetemi gjithmonë duke ëndërruar e mrekullitë nuk po ndodhin. Me sa duket, edhe “zhgënjimi” i disave nga mediat apo politika në Tiranë, të cilët ndoshta prisnin datën për hapjen e negociatave për anëtarësim gjatë prezantimit të strategjisë apo gjatë vizitës së z. Juncker, ka të bëjë pikërisht me faktin që e shikojnë këtë vetëm si proces i cili nuk shkon përtej retorikës së tyre dhe shprehjen e dëshirës për t’u bërë pjesë e BE.

Shumë u zhgënjyen pasi Juncker në përfundim të konferencës për shtyp me Kryeministrin Rama tha hapurazi që “kam shumë uri” në përfundim të një dite takimesh ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë duke e reduktuar qëllimin e vizitës së tij si vizitë gastronomike.

Por ndryshe është realiteti nga si e shikojnë procesin e integrimit europian “gjithollogët” të cilët më shumë renden drejt sensacionalizmit dhe konspiracionit sesa të kuptojnë si funksionin procesi i integrimit dhe mesazhin e drejtuesve të insititucioneve Europiane gjatë vizitate të tyre.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian duhet parë domosdoshmërisht në dy drejtime: qasja e BE-së për të përfshirë vende të tjera dhe bindja e vendeve anëtare për pranimin e tyre nga njëra anë dhe përmbushja e kritereve politike, ekonomike dhe përshtatja e legjislacionit me atë të BE-së nga vendet kandidate, nga ana tjetër.

Parë nga jashtë, Kancelarja Merkel me procesin e Berlinit në 2014 konfirmoi angazhimin konkret për një perspektivë reale në Bashkimin Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor duke nxitur bashkëpunimin e vendeve në sektorët e energjisë, transportit dhe bashkëpunimin e të rinjve. Gjithashtu vëmendje të veçantë ka edhe dialogu ndërmjet vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Në 2018, 4 vjet më pas, gjendemi në një situatë tjetër: më shumë bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta ndërmjet vendeve në fushën e transportit, energjisë, shkëmbimit rinor, etj. Nxitja që BE-ja ka bërë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe si Serbi – Kosovë, Kosovë – Mal i Zi, Greqi – Maqedoni, Shqipëri – Greqi mund të bëjë që viti 2018 të quhet viti ballkanik i pajtimit. Dhe pikërisht ky pajtim i shërben integrimit të tyre europian me avantazhe si për zhvillimin ekonomik, përthithjen e investimeve të huaja, përmirësimin e infrastrukturës, tregu rajonal, etj.

Ky është mesazhi që shprehu Presidenti Juncker gjatë  vizitës së  tij: “duke investuar në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, do të thotë të investosh në sigurinë dhe të ardhmen e Bashkimit Europian”. Kjo është edhe qasja që Komisioni Europian po përdor për të komunikuar dhe bindur vendet anëtare rreth avantazheve që ka përfshirja e rajonit në BE, pavarësisht problemeve të brendshme të tyre dhe skepticizmi që kanë ndaj standardeve të arritura të vendeve rajonit.

E parë nga Shqipëria, BE-ja e ka bërë të qartë që në krye të herës që dëshira e madhe për t’u anëtarësuar nuk mjafton të jetë vetëm tek deklaratat politike, por në realizimin e kritereve të vendosura nga Brukseli për të arritur ato standarde të cilat afrojnë nivelin e cilësisë së jetesës tonë me atë të vendeve anëtare sepse integrimi Europian bën fjalë pikërisht për këtë. Ndaj, më shumë sesa të presi nga deklaratat e Juncker dhe Brukseli, politika, media dhe shoqëria shqiptare duhet të kthejë shikimin nga vetja dhe të përmbushin de facto dhe jo vetëm de jure të gjitha detyrat e dhëna nga BE-ja.

Për vite me radhë, ato pëmblidhen në 5 prioritetet: lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit, pavarësia e sistemit gjysësor, profesionalizmi dhe depolitizimi i administratës publike, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Në momentin që flasim, Shqipëria ka nota pozitive përsa përket përshtatjes 100% të politikës së jashtme të saj me atë të Bashkimit Europian e vlerësuar nga Brukseli, pavarësisht poteres  së madhe politike e mediatike për shkak të votës në OKB për statusin e Jerusalemit ku Shqipëria votoi ashtu si vendet e BE-së, kundër SHBA-ve.

Në momentin që flasim gjithashtu, Shqipëria sapo ka filluar të zbatojë reformën në drejtësi dhe krijuar institucionet e reja, të cilat do të kalojnë procesin e vetting-ut, një nga kushtet kryesore për të arritur sukses në fushat e tjera të sundimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimit të të drejtave të njeriut dhe dhënies fund pandëshkueshmërisë e kthyer në kult. Rezultatet e para përsa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, megjithësë të vona, janë të mirëpritura nga Brukseli.

Fakti që kjo reformë po jep rezultatet e para për hetimin e disa çështjeve të rëndësishme dhe përjashtimi nga sistemi i ri i drejtësisë i disa gjyqtarëve e prokurorëve, ndër to dhe shpallja “non grata” nga SHBA e personit par excellence që kishte për detyrë të hetonte korrupsionin, janë gjithashtu të mirëpritura nga Komisioni Europian për të rekomanduar pa kushte hapjen e negaciatave për anëtarësim, por këto rezultate janë të pamajftueshme për vendet anëtare, pasi në fund do të jenë ato që vendosin në Këshillin e Bashkimit Europian.

Kjo është arsyeja se përse Juncker nuk dha një datë për hapjen e negociatave pasi janë institucionet që vendosin në momentin e duhur (Komisioni në prill për rekomandimin e hapjes së negociatave dhe nëse Komisioni jep dritën jeshile, Këshilli vendos në qershor). Ka akoma edhe pak kohë për të regjistruar zhvillime e progrese të reja, për të cilat Presidenti i Komisionit Europian dhe zyrtarët e tjerë të Brukselit inkurajojnë vendet e rajonit të vazhdojnë me ecurinë e reformave. Ndaj, në vend që të mbajmë sytë nga Brukseli duke ëndërruar se mos na jep ndonjë dhuratë, le të punojmë të rregullojmë shtëpinë tonë, duke dënuar abuzuesit dhe respektuar nje sistem rregullash dhe vlerash europiane, ku edhe gjermani skeptik të mund të thote me plot gojën: po, ju do e meritoni një ditë Bashkimin Europian.

Ky artikull është publikuar më parë në EU Policy Hub, organizatë e krijuar me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) – Zyra për Shqipërinë

Heqja e apostilit me Greqinë, çfarë përfitojnë emigrantët?

$
0
0
Vula apostile Shqiperi Greqi

Vendimi më i fundit i Greqisë është të heqë rezervën për vulën apostile me Shqiperinë, gjë që i mundëson çdo shtetasi shqiptar kursimin minimal të 30 eurove për çdo dokument që i nevojitet.

Ky vendim është përshëndetur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila shprehet se “Ky vendim i qeverisë greke përbën një angazhim të përmbushur në kuadër të dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për çështjet e mbetura pezull prej një kohe të gjatë”.

Sipas MEPJ, vetëm gjatë vitit 2017, kostot e qytetarëve shqiptarë,si rrjedhojë e aplikimit të vulës apostile nga autoritetet greke, kanë kapur vlerën e 6.7 milionë euro.

Ky vendim i qeverisë greke duket se është produkt i ardhur nga dialogu i zhvilluar mes saj dhe Shqipërisë, si dhe nga angazhimi për të cuar në një nivel më të lartë marrëdhënien strategjike mes dy vendeve .

Vula apostile, sic ka bërë me dije Ministri Bushati, është një nga pikat e diskutuara në shportën e cështjeve të përditshmërisë, e cila mesa duket ka marrë dakortësinë e palës greke më dt 26 shkurt të këtij viti.

Por, çfarë është vula apostile?

Vula Apostile është një regjim për legalizimin e dokumenteve. Ajo ul ndjeshëm jo vetëm një pjesë të madhe të kostos së një legalizimi, por edhe burokracitë për kryerjen e këtij veprimi.

Tashmë eviton detyrimin e qytetarit ta paraqesë këtë dokument edhe në Ambasadën përkatëse, që të njihet nga autoritetet në atë vend. Me fillimin e regjimit të vulës apostile, dokumenti bëhet i njohur për 82 vende anëtare të kësaj Konvente.

Efekti financiar me regjimin e vulës Apostile do bëjë të mundur uljen në mënyrë drastike të kostos së dokumentave të kërkuar, pra; nga 30 euro që paguhet aktualisht, do paguhet vetëm 200 lekë të reja.

Heqja e rezervës për vulën Apostile, hap rrugën edhe për lëshimin e certifikatave, por lëshimi i tyre bëhet me marrëveshje ose në bazë të reciprocitetit.

Në total, përpunohen rreth 210 mijë dokumenta në vit, me destinacion Greqinë, që po të shumëzohen me 32 euro, i kursehen xhepave të qytetarëve miliona euro.

Shqipëri-Itali: në Tiranë paraqitet programi për angazhimin e Diasporës

$
0
0
Albanian Diaspora to make home a better place_opt (1)

Me mbi 1.4 milion shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Itali e Greqi dhe me prani në te gjithë botën, diaspora shqiptare përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme por gjerësisht të pashfrytëzuar për Shqipërinë.

Sfida e së tashmes është që të krijohet një mjedis që nxit angazhimin e diasporës për të ofruar talentin, praktikat dhe përvojat më të mira për të zhvilluar Shqipërinë.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM) – agjencia e OKB për migracionin – lajmëroi sot nisjen e një programi që synon të trajtojë pikërisht këtë sfidë: të rrisë angazhimin e diasporës shqiptare për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë.

Ky program financohet nga Kooperacioni Italian, nën angazhimin politik të Ministrisë për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë dhe përfshirjes operacionale të Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim. Programi zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Angazhimi i Diaspores shqiptare

Ky program tre vjeçar do të mbështesë Qeverinë e Shqipërisë për të zbatuar një qasje gjithëpërfshirëse për angazhimin e diasporës. Programi do të fokusohet në diasporën shqiptare në Itali me një prani prej rreth 500 mijë personash. Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e shpalljes së programit, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, vendosi theksin në rolin e rëndësishëm që diaspora mund të luajë: “Migrantët zotërojnë dije dhe talente. Këto janë vlera themelore për bashkëpunim. Të dy vendet tona mund të përfitojnë nga angazhimi i disaporës” – tha ai.

Në të njëjtën linjë, Ministri i Shetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cilësoi bashkëatdhetarët që jetojnë jashtë vendit si një pasuri për Shqipërinë. “Shqiptarët jashtë vendit janë një pasuri thuajse e pashfrytëzuar e kombit shqiptar. Prandaj ky projekt është i rëndësishëm, pasi do të na mundësojë një qasje më të efektshme ndaj potencialit të pakufishëm të diasporës sonë” tha ai.

Pandeli Majko gjate prezantimit_opt

Kreu i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë, Nino Merola, vuri theksin në cilësitë e veçanta të programit: “Ky është një program inovativ që do të shndërrohet në një model për zhvillimin social dhe ekonomik në të gjitha nivelet. Ai mund të sjellë një ndikim të ndjeshëm në komunitete, si në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, ashtu edhe në sektorin agro-ushqimor, për të përmendur vetëm dy shembuj të mundësive që projekti sjell” tha ai.

Drejtuesja e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në Tiranë, Alma Jani, tha se programi do të nxisë diasporën për të transferuar dijet e tyre në funksion të zhvillimit të vendit.

“Aftësitë dhe dijet e disaporës do të hartëzohen dhe profilizohen dhe më tej do të harmonizohen me nevojat përkatëse vendore si dhe me strategjitë dhe planet kombëtare të veprimit” tha ajo duke shtuar se pjesë e programit do të jetë dhe hartimi dhe zbatimi i një skeme projektesh afatshkurtra (fellowships) të shënjestruar tek disapora.

Programi është ndërtuar për të patur në fokus mbështetjen e investimeve si dhe ngritjen e bizneseve të reja nga pjestarë të diasporës. Gjatë programit është menduar krijimi i një platforme për nxitjen e investimeve e quajtur “Connect Albania”, si dhe ngritja e një fondi specifik për bizneset e reja për migrantët e brezit të dytë që dëshirojnë të ngrejnë bizneset e tyre në Shqipëri.


Emigracioni në BE, në 2 muaj janë kthyer 3 mijë shqiptarë në kufi

$
0
0
Aeroporti i Rinasit Emigracioni në BE

Prej tremujorit të fundit të 2017-ës në doganat shqiptare dhe kryesisht në aeroportin e Rinasit është vënë re një ashpërsim i kontrolleve nga policia dhe rregulla më të forta për të ruajtur standardet e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

Masat e marra nga qeveria shqiptare, si garanci për shtetet evropiane që kanë shprehur edhe shqetësim për numrin e lartë të azilkërkuesve dhe aktivitetin kriminal në rritje, kanë dhënë rezultatet e tyre.

Kështu, në 2 muajt e parë të 2018-së në kufi janë kthyer nga policia mbi 3 mijë persona. Për periudhën dymujore 1 janar – 28 shkurt, policia thotë se janë kthyer në kufi 246 minorenë.

“Nga Policia Kufitare janë intensifikuar operacionet e rikthimit të shtetasve shqiptarë, në bashkëpunim me FRONTEX dhe me vendet e destinacionit për periudhën 01 Janar – 28 Shkurt 2018 janë kryer 156 operacione me 1044 shtetas të kthyer, nga këto 7 operacione janë zhvilluar me kërkesën e Policisë Kufitare shqiptare në bashkëpunim me FRONTEX, si dhe 149 operacione nga vendet e destinacionit në bashkëpunim me FRONTEX”, thuhet në njoftim.

Për periudhën 1 Janar – 28 Shkurt 2018 janë trajtuar 31 kërkesa dhe janë riatdhesuar 21 të mitur. Të gjitha rastet e riatdhesimit të të miturve të pashoqëruar janë trajtuar në bashkëpunim me shërbimin social shtetëror.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe kohore, janë ndaluar 311 shtetas shqiptar për kalim të paligjshëm të kufirit.

Vëmendje i është kushtuar edhe forcimit të kapaciteteve profesionale të shërbimeve kufitare për identifikimin e dokumenteve të udhëtimit të falsifikuara, duke zhvilluar trajnime të specializuara dhe të avancuara.

Në këtë drejtim gjatë periudhës 1 Janar – 28 Shkurt 2018, janë proceduar 45 shtetas me dokumente udhëtimi të falsifikuara.

Po për periudhën 1 Janar 2018 – 28 Shkurt 2018, janë referuar në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore 9 raste për veprën penale “Braktisjen e të miturve” në ngarkim të prindërve ose kujdestarëve që kanë braktisur fëmijët.

Antonio Baldacci: Shkodra e Shqipërisë (pjesa e dytë)

$
0
0
Shkodra, nga Edward Lear

Antonio Baldacci (Bologna, 1867-1950), autori i artikullit në vijim “Shkodra e Shqipërisë”, ka qenë një botanist italian dhe gjeograf, specialist i studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike.

Që nga viti 1925 Baldacci u interesua kryesisht për Shqipërinë, jo vetëm duke u marrë me studime dhe botime të pavarura por, që nga viti 1928, bashkëpunoi me institucionet lokale në fushën shkencore dhe politike.

Nga viti 1931 deri në vitin 1939 ka qenë konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë në Bologna; në vitin 1942 mori pjesë në Këshillin administrativ të drejtorëve të Qendrës Studimore të Shqipërisë pranë Akademisë Italiane. Deri në vitin 1943 ka qenë anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe Këshilltar kulturor i Luogotenencës së Përgjithshme në Shqipëri.

Ka lënë rreth 250 botime, përfshirë artikujt e botuar në revista dhe në vepra të ndryshme: ndër më kryesoret janë Itinerari albanesi (Itineraret shqiptare), Romë, Shoqëria Gjeografike Italiane, 1917; L’Albania (Shqipëria), Roma, Instituti për Evropën Lindore, 1929; Scritti Adriatici I (Shkrimet Adriatike I), Bologna, Kompozitorët, 1943, bocat e veprës së papublikuar «Leonardo da Vinci e il mondo delle piante» (Leonardo da Vinçi dhe bota e bimëve).

Nga Baldacci kemi trashëguar gjithashtu një arkiv shumë të pasur dhe bibliotekën e tij personale, që ruhet në Bibliotekën publike në Archiginnasio di Bologna , dhe natyrisht koleksionet e bimëve që gjenden në muzetë e Italisë dhe të huaj.

  • Marrë nga Revista ITALIA!, Scutari d’Albania, A. BALDACCI
  • Përkthimi në gjuhën shqipe: Gino LUKA

Këtu gjeni linkun e pjesës së parë


Shkodra e Shqipërisë – pjesa e dytë

Shkodra e Shqipërisë

Cila është popullsia e Shkodrës nuk dihet mirë. Statistikat në Turqi gjithmonë kanë një vlerë shumë të vagëlluar. Dhjetë vjet më parë kam sinjalizuar, sipas dokumenteve zyrtare, 40 mijë banorë, shifër kjo e rrumbullakuar, përveç 17 mijë banorëve në rrethina (i). Sipas llogaritjeve të tjera qyteti i Shkodrës do të numëronte një popullsi prej 80 mijë banorësh, nga të cilët 62 mijë shqiptarë myslimanë, 16 mijë katolikë shqiptarë dhe 2 mijë të tjerë me kombësi të ndryshme (2). Barbarich (3), që kishte në dispozicion shumë materiale krahasuese, ka dhënë këto shifra 25,800 myslimanë, 14 mijë katolikë dhe 4 mijë ortodoksë. Ai po ashtu jep 12 mëhalla myslimane dhe 2 katolike, 4700 shtëpi, 40 xhami, 12 kisha, 1500 dyqane, këto shifra janë pothuajse të barabarta me ato të miat, të dhjetë viteve më parë.

Pesëdhjetë vjet më parë, Boué, studiuesi i madh i vendeve të Turqisë së Evropës, ka shkruar për Shkodrën ashtu siç mund të shkruhet sot (4). Oborri i shtëpive ka një derë të vendosur më së shumti në sfond, dhe në mure shpesh gjenden frëngji për të gjuajtur në rast rrethimi. Çdo qytet shqiptar, ashtu si shtëpitë e çdo fshati gjithmonë presin se mund të sulmohen dhe, për rrjedhojë, duhet të jenë të gatshëm për mbrojtje. Dikur dyert ishin edhe prej hekuri; sot ato janë kryesisht prej druri, të rënda dhe shumë të fuqishme.

Të gjitha rrugët që gjenden përbri kopshteve të lagjes lindore janë të gjera dhe ndër skaje kanë diga për të parandaluar përmbytjet e Kirit. Shkodra ka fatkeqësinë e përmbytjeve. Kur shiu bie me rrëshekë – gjë që nga vjeshta deri në pranverë në pellgun e Liqenit të Shkodërs ndodh shpesh – Kiri ose liqeni, ose të dy së bashku të fryrë, kërcënojnë përmbytjen e qytetit; qarkullimi, atëherë, duhet të bëhet me barka.

Shkodra, Kafja e Madhe
Shkodra, Kafja e Madhe

Kopshtet e Shkodrës janë me nam. Toka është e shkëlqyer për rritjen e pemëve frutore dhe të perimeve; edhe portokallet dhe limonët rriten mirë direkt në tokë. Një veçori e prodhimit të frutave paraqitet nga shega, që në Shkodër ashtu si në Bari dhe gjetkë, prodhon fruta jashtëzakonisht të mëdha dhe të ëmbla.

Panoramë, Shkodra
Panoramë, Shkodra

Qytetet myslimane janë karakteristike për varrezat turke: në Shkodër ekzistojnë rreth pesëmbëdhjetë dhe secila prej tyre mbrohet nga një xhami dhe nga pemë të mëdha, çinarë. Të gjithë kopshtet, oborret, varrezat me tufat e pemëve aty e këtu, gjelbërimi midis bardhësisë së shtëpive dhe mureve, i jep Shkodrës pamjen e një fshati gjigant, më shumë se sa të një qyteti, ashtu siç e përfytyrojmë ne qytetin në kuptimin perëndimor.

Shkodra - Varrezë muslimane
Shkodra – Varrezë muslimane

Pjesa lindore e Shkodrës është më e shëndetshme, ndërsa afërsia e liqenit, kënetave të Bunës dhe tregu i peshkut e bëjnë lagjen e pazarit të rrezikshme për shkak të etheve. Në pjesën lindore edhe uji është më i mirë dhe më i pastër e më i freskët se sa ai i vendeve afër liqenit dhe lumit.

Shkodra ishte dhe është një nyjë me rëndësi të madhe rrugore, veçanërisht për komunikimet ndërmjet vendeve të Adriatikut dhe Turqisë në drejtim të luginës së sipërme të Vardarit, pra drejt Kosovës dhe Maqedonisë. Në shumë projekte për hekurudhën danubiano-adriatike, mendohet se kjo arterie e rendit të parë duhet të kalojë kryesisht nëpërmjet Shkodrës, duke e çuar atë deri në Shëngjin, i cili do të bëhej stacioni qendror i hekurudhës, duke ndërtuar pastaj një degë ndërlidhjeje me Barin (Tivarin) për të kënaqur nevojat e Malit të Zi. Në antikitetin romak duket se Shkodra ishte e bashkuar me Italinë me të njëjtat komunikime që i shërbenin Apollonisë (Fierit) dhe Durrësit, të cilat, duke u nisur nga Puglia, vazhdonin pak a shumë si sot të njëjtën rrugë komunikacionesh të shoqërisë “Puglia” të Barit.

Shkodër - Dogana
Shkodër – Dogana

Nga Shkodra niseshin rrugët dytësore, prej të cilave edhe sot ka gjurmë, në drejtim të luginës së lartë të Drinit nga njëra anë dhe për në Moravia nga tjetra: siç dihet, arteria kryesore transversale përfaqësohej nga Via Egnatia në të cilën kryqëzoheshin rrugët që vinin nga Labeatium, d.m.th. Nga Doclea (Duklja, Mali i Zi) dhe Shkodra (Scutari). Në Mesjetë rrugët e komunikacionit ilire u ruajtën dhe u përmirësuan nga serbët dhe më vonë nga Venedikasit. Nën turqit ata erdhën duke humbur shumë, si për sa i përket shpejtësisë ashtu edhe cilësisë, ndërkohë që mbetën të përshtatshme për tregtinë me karvanë, që është tregtia me anën e kafshëve: turqit nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë të njohur për ndërtimin e për mbajtjen e rrugëve funksionale.

Rruga e vjetër romake nga Shkodra në veri-perëndim deri në luginën e Zetës (Zeta, Principatë në kufi me Shkodrën), që është bërë e pa praktikueshme në kohën kur Mali i Zi mbajti kufijtë e vet të mbyllur drejt Turqisë, tani është një arterie e mrekullueshme e shërbyer së pari me rrugë ujore, me anijet italo-malazeze të liqenit të Shkodrës dhe më pas me rrugë tokësore, me makinat postare të Malit të Zi.

Avullore, Liqeni i Shkodrës
Avullore, Liqeni i Shkodrës

Kjo rrugë, siç ishte në kohë të Romës, së shpejti do të vazhdojë – sipas projekteve malazeze të rrugëve – për Tara (Serbi) dhe Hercegovinë në një drejtim dhe për Risanon (Risan, Mali i Zi) sipas drejtimit tjetër. Një arterie shumë popullore është ajo bregdetare që nga Shkodra kthehet mbi Durrës dhe pastaj shkon drejt Maqedonisë, por kjo rrugë nuk është veçse vazhdimi i asaj të mëparshmes, sepse në kohët romake, ajo vinte nga Dalmacia dhe shkonte duke i rënë rreth e qark Grykës së Kotorrit, ngjitej nga Risano në Mal të Zi, nga ku zbriste në Liqenin e Shkodërs për t’u bashkuar me rrugën e famshme Egnatia.

Komunikimet detare të sotme me Shkodrën mbahen në sajë të flamurit austro-hungarez, flamurit italian dhe flamurit malazez. Mund të thuhet se edhe tregtia bregdetare shqiptare deri në Liqenin e Shkodrës është e privilegjuar e në duart e Austrisë, për sa i përket shërbimit të shkëlqyer që Lloyd bën nga Trieste në drejtim të të gjitha porteve të bregdetit dalmato-shqiptar. Asnjë shoqëri kombëtare ose e huaj nuk mund të konkurrojë me Lloyd-in sepse qeveria austriake subvencionon me forcë linjat e transportit ujor dhe i shpërblen prodhuesit me qëllimin kryesor që ka për të siguruar gjithnjë e më shumë tregtinë e saj madje edhe duke u sakrifikuar mbi bazën e veprimit të saj politik.

Austria eksporton në Shkodër: sheqer, kafe, oriz, dru, alkool, mobilie, pëlhura të leshta, birrë, letër, lëkurë, shkrepëse, xhama, hekur të smaltuar, hekurishte, tjegulla dhe tulla, produkte mjekësore etj. Italia dërgon në sasi me të vogla: miell, vaj, produkte ushqimore, venë, pëlhura pambuku, lëkurë, pije, enë prej argjile, dhe vetëm herë pas here oriz dhe kafe nga Gjenova. Anglia importon pambuk të bardhë dhe me ngjyrë, hekurishte, produkte xhami. Franca: sapun, miell, artikuj mode dhe tjegulla marsejeze. Greqia: sapun, venë, konjak, tjegulla, tulla dhe disa sasi të vogla produktesh pambuku.

Turqia dërgon në Shkodër: drithëra, manifakturë pambuku dhe leshi, kinkaleri, mallra të përziera gjermane, franceze dhe italiane, të blera në Kostandinopojë dhe Selanik, që tregtarët e atyre qyteteve i porosisin me shumicë në fabrikat e huaja, pastaj i rishesin me parti të vogla malli e me kredi. Shkodra eksporton në Austri: vaj, lëkurë, lesh, qymyr, shqeme, skotan (variant i shqemes), etj.

Shkodra eksporton në Itali: vaj, dru zjarri, traversa e kuaj. Porti i Shkodrës është Shëngjini, i cili është larg nga kryeqendra tetë ose dhjetë orë me kalë sipas rrugës dhe sezonit dhe rreth po aq kohë duhet edhe me avullore nëpërmjet Bunës. Lloyd-i austriak bën rrugën e Shëngjinit nga dhe për në Trieste dy herë në javë dhe të njëjtën gjë e bën duke shkuar për në Lindje nëpërmjet Bunës deri në Obot. Shërbimi i Bunës bëhet me avullore e cila i merr mallrat e i transporton për në Shkodër.

Me anë të Liqenit nga Oboti në Kotor dhe anasjelltas: me këtë linjë avullorja përgjatë Bunës gjithashtu merr mallra e i transporton për në Shkodër e në të gjitha vendet përgjatë liqenit. Nga Oboti deri në Shkodër transporti bëhet me anijet e liqenit (lundra, sule); shërbimi për në liqen bëhet me take (anije me vela) ose me avullore dhe rimorkiator të ndërtuar qëllimisht nga Lloyd-i për përfaqësuesin e tij. Italia arrin në Shëngjin dhe pastaj në Shkodër me avulloret e Puglia-s, me linjën B dhe me linjën Shëngjin-Shkodër.

Deri në Shëngjin arrijnë nga Lindja disa avullore të shoqërive të lundrimit greke dhe otomane; nga Kotorri hyjnë në Bunë deri në Obot avulloret hungareze-kroate. Nga rruga e Barit (Tivarit), Shkodra shërbehet nga linjat e komunikacioneve italiane që mbërrijnë nga Bari (Itali) në Bar (Tivari) dy herë në javë me avulloret e Puglia-s dhe vazhdojnë kështu me karrocat e Malit të Zi deri në Virpazar në liqen: atje ata gjejnë shërbimin e rregullt të përditshëm të avulloreve të Shoqërisë së Barit (Tivari) në drejtim të porteve të liqenit.

Sot në Shkodër, mbetet nga emri ynë tradita e tregtisë, në gjuhën e biznesit, e cila është italishtja dhe diçka edhe në betejën për aspiratat kombëtare. Gjuha jonë mbahet atje deri më sot edhe në shkollat fetare të provincave të tjera. Shkodra ka qenë e bashkuar me Venedikun për sa i përket tregtisë; sot ajo është me Triesten. Ky është gjithmonë një bashkim i bukur për italianizmin. Ne shpresojmë që shqiptarët do të jenë në gjendje të fitojnë pavarësinë, e të kenë dëshirë ta mbajnë këtë lidhje!

Shkodër - Kishë e lashtë, sot është xhami. Në gjuhën shqipe quhet Xhamia e plumbit, sepse të gjitha kupolat janë të mbuluara me plumb
Shkodër – Kishë e lashtë, sot është xhami. Në gjuhën shqipe quhet Xhamia e plumbit, sepse të gjitha kupolat janë të mbuluara me plumb

Bibliografia

  • (1) A. BALDACCI, Note statistiche sul vilayet di Scutari e la legge della montagna albanese, in «Rivista geografica italiana», VII, 1901.
  • (2) E. BARBARICH, Albania.— Roma, 1905, pag. 279.
  • (3) Veggasi LAIMTARI e SCHYPENIES; I marzo 1905.
  • (4) Ami BOUÉ, Récueil d’Itinéraires dans la Turquie d’Europe, II, pag. 168. — Vienna, 1854.
  • (i) A. DEGRAND, Souvenirs de la Haute-Albanie, — Paris, 1901. pag. 78.

Internet

The post Antonio Baldacci: Shkodra e Shqipërisë (pjesa e dytë) appeared first on Albania News.

Gëzuar 8 marsin Eva

$
0
0
A e krijoi Zoti Evën nga një brinjë e Adamit

Fshati që duket nuk do kallauz. Nuk ka nevojë të argumentohet pse Bibla nuk është tekst feminist. Të gjithë protagonistët janë meshkuj, në një botë meshkujsh, deri tek apostujt e Krishtit.

Gratë zënë një pozicion dytësor në botën biblike…

Të gjithë e dimë se sipas përshkrimit që jepet në Bibël, kur Zoti pa se Adami po ndjehej i vetmuar, mori një brinjë të Adamit dhe me këtë brinjë krijoi Evën, për t’i bërë shoqëri atij (Genesi 2, 18-25). Përkthimi i Biblës shpreh një koncept që, aktualisht, përcaktohet si seksist.

Pra gruaja si përfundim jo vetëm është inferiore, sepse është krijuar nga një brinjë e burrit, por edhe qëllimi për të cilin është krijuar është që t’i bëjë shoqëri burrit e, përveç kësaj, është kjo grua që e shtyn në gabim Adamin duke e damkosur me mëkatin origjinar, duke shkaktuar kështu dëbimin nga Parrizi (Parajsa). Një grua e krijuar nga një kockë pothuaj pavlerë ashtu siç do të jetë roli i saj në shoqëri…

A e përdori Zoti një brinjë të Adamit për të krijuar Evën?

A ka mundësi që një Zot i përsosur të ketë harruar diçka? Apo ndoshta janë njerëzit që e kanë interpretuar gabim tekstin…

Ajo që dimë sot ka arritur te ne nga përkthimet

Një nga hipotezat në lidhje me përkthimin e gabuar nga hebraishtja, është pikërisht fjala tselah (tzelà), që është përkthyer “brinjë”.

Në Bibël shkruhet se Zoti “mori një tzelà (צלע) të tij” (Gn 2:21), sipas mendimit të shumë teologëve ndër të cilët Romolo Giovanni Capuano, dhe disa biblistëve të tjerë, Danilo Valla, Eva ka lindur nga gjysma e Adamit, e jo thjeshtë nga një brinjë, kjo fjalë pra duhet të përkthehej si “gjysmë” ose “anë” (Gen 2, 21-23).

Tselah përsëritet 49 herë në Bibël e përkthyer si “gjysmë”, “anë” e vetëm në rastin e mësipërm përkthehet “brinjë”. Ky përkthim sigurisht i gabuar është një nga shkaqet e inferiorizimit të gruas gjatë shekujve (në fakt si burri ashtu edhe gruaja kanë të njëjtin numër brinjësh).

Tregimi i krijimit të gruas përmban një mësim të rëndësishëm. Duke krijuar gruan, Zoti nuk e bëri atë të ndarë e të shkëputur nga burri, nga pluhuri i tokës ashtu siç kishte bërë me Adamin. E ka bërë duke marrë gjysmën (צלע, tzelà) e Adamit, kështu na mëson se gruaja ishte me të vërtetë ‘kocka e kockave të tij e mishi i mishit të tij’ (Gn 2:23). Nuk ishte krijuar për t’iu nënshtruar burrit; sepse ishte krijuar nga e njëjta lëndë me të njëjtën natyrë, ishte “gjysma”.

Në librin e saj të fundit, Le ribelli di Dio, (Rebelet e Perëndisë), teologia Adriana Valerio pohon se edhe te Kënga e këngëve do të ishte e nevojshme të ndërhyhej me një përkthim të ri.

P.sh. shprehja “Me dhimbje do të lindësh fëmijë” (Gen 3,16), tingëllon si një dënim i përjetshëm, por që do të mund të përkthehej shumë mirë si “Me mund do të lindësh fëmijë”, që shpreh një konstatim të thjeshtë. Pra, vargu 3, 16 i Genesi do të duhej të rishkruhej plotësisht duke hapur kështu një kënd vështrimi më pak ndëshkues dhe më të dashur të Zotit. Një vizion në të cilin burri dhe gruaja janë në të njëjtin nivel ku Zoti nuk dënon, por komunikon një plan jete për të dy, burrin dhe gruan.

Kjo tezë është në përputhje edhe me tregimin e parë të krijimit: “Zoti krijoi njeriun (qenien njerëzore) sipas imazhit të Tij; pra e krijoi sipas imazhit të Zotit; krijoi mashkullin dhe femrën”. Pse vallë, një Zot i plotfuqishëm, që krijoi botën nga hiçi, do të kishte nevojë për një brinjë të mashkullit për të krijuar femrën?

A ka mundësi që një Zot i përsosur të ketë harruar diçka? Mos ndoshta janë njerëzit që e kanë interpretuar gabim tekstin?…

Adami dhe Eva, nga Lucas Cranach i Vjetri
Adami dhe Eva, nga Lucas Cranach i Vjetri

Referime:

  • Valerio A., 2014, Le ribelli di Dio, Feltrinelli, Milano, pp. 34-35.
  • Audlin J., The Gospel of John Restored and Translated, Volume I, Editores Volcán Barú. (Copyright © 2016 James David Audlin)
  • Feiler B., The First Love Story: Adam, Eve and Us, Penguin, 2017.

The post Gëzuar 8 marsin Eva appeared first on Albania News.

Mbi çfarë bazohet një Komb?

$
0
0
kombi shqiptar trashegimia kulturore shqiperia

Pyetje e cila ka një përgjigje aq te vështirë, sa intuitive: trashëgimia kulturore qe ai mban me vete.

Mjeti me efektiv për të kufizuar, edhe me tej për te shfarosur një identitet, një Komb, është pikërisht anulimi i kësaj trashëgimie.

Ne anën tjetër, ruajtja e fort te një bazë kulturore, te trashëgimisë se kombit ndër vite, dekada edhe shekuj, është mënyra me e suksesshme, arma me e fuqishme qe një popull mund të përdori për te luftuar edhe për të shmangur zhdukjen.

Në fund të fundit, nëse sot e kësaj dite e njohim historinë e njerëzisë, historinë e Greqisë së lashtë demokratike, atë të Perandorisë te fuqishme edhe te lulëzuar Romake, i detyrohemi atyre qe në atë kohë zotëronin njohuri të tilla, që sot na japin mundësin të konsultojmë dokumente te çmuara, edhe mbi të cilët ne mund të bazohemi.

Pra baza e përgjithshme, është pa diskutim shpikja më e çmuar edhe me e madhe njerëzore: Gjuha. Me saktë, ajo e shkruar. Falë kësaj, çdo popull ndër shekujt ka pasur mundësi për vetë-shpallje, vetë-afirmim edhe vetëvendosje, duke trashëguar ne këtë mënyrë kulturën e vetë.

Por, çfarë ndodh kur kjo mundësi kufizohet, ose më keq, arrihet që të anulohet?

Është shumë e thjeshtë. Gjithçka i përket atij populli, humbet gradualisht. Kur kjo pronësia kulturore të ketë humbur krejtësisht, atëherë ajo nuk mund të rikthehet me. Kjo nuk është shpikje e jashtëzakonshme, thjesht një realitet i cili ne mund ta prekim me dorë.

Thjesht kur një gjuhë edhe një kulturë nuk transformohen, nuk evoluojnë, ngadalë ato humbasin. Kur ato te kenë humbur përgjithmonë, rrjedhimisht edhe potenciali intelektual edhe kulturor nuk kanë kurrsesi mundësi për tu lënë pas. Me pak fjalë, ruajtja e gjithçka i përket kulturës së një Kombi është pjese themelore, jetësore së ruajtjes, afirmimit edhe përforcimit te tij.

Kongresi i ManastiritNëse aplikohet ky “kredo” tek realiteti i ynë, ai Shqiptar, mund te arrijmë në një konkluzion shumë të thjeshtë. Që të kemi një Komb solid, i qëndrueshëm ndaj kalimit të kohës edhe te ndryshimit të natyrshëm të kushteve për mbijetesë, edhe sot, si në shekujt te kaluar, është e domosdoshme ruajtja përmes mësimit te asaj qe pikësëpari na kualifikon si Komb i Pavarur: Gjuha.

Të shtrirë përtej territorit aktual te Republikës së Shqipërisë, e njohur prej më tepër se 100 vjet territori zyrtar të popullit tonë, ne Shqiptarët kemi arritur disi të mbajmë edhe të trashëgojmë ndër shumë vështirësi, këtë tipare shumë te rëndësishme edhe te bukur. Pas më tepër se 400 vjet kolonizim shtypës edhe agresiv nga Perandoria Otomane, me një ndalim total te mësimit në gjuhen ëmë, edhe një përpjekje te pa ndalur asimilimi ndaj popullit shqiptar, gjuha Shqipe ka arritur të trashëgohet me gojë.

Fatkeqësisht ky trend, edhe mbas luftërave te shekullit te kaluar nuk ka humbur. Madje është gjithmonë e me shumë aktual, edhe gjithnjë më i fuqishëm. Në një Balkan tashmë i çliruar deri diku nga ndikimi Turk, faktori asimilues sllav, me mbështetjen e një globalizimi agresiv edhe i pa kontrolluar, ka cenuar edhe më tepër në territoret etnik shqiptar, tanimë nën kontrollin e shteteve te ish Jugosllavisë, edhe jo më pak ne atë shtetin fqinjë qe gjendet ne pjesën juglindore të Europës, Greqia. Aty, tendencat nacionaliste, urrejtja etnike (fenomen që përtej deklaratave paqësore, ekziston edhe ne vitin 2017) na përballin sot, me një situatë alarmante, qe pasqyrohet në mënyrë perfektë me atë që kam shkruar me parë.

Harresa totale nga institucionet, së popullatës etnike që banon pjesë të territoreve, ka favorizuar largimin prej tyre nga banorët e hershëm. Mos lejimi e arsimit ne gjuhën ëmë, e cila sipas Konventave internacionale duhet ligjërisht te jetë e mbrojtur nga shtetet, ashtu si mundësitë të pakta të një zhvillimi ekonomik edhe social, me te cilën përballen ata qe kërkojnë te shfrytëzojnë këtë rruge arsimi, në disa vende, pothuajse detyrojnë zgjedhjen e mësimit në gjuhen zyrtare të shtetit përkatës. Kjo sigurisht ndodh edhe për mungesën të një strategjie Kombëtare të mirëfilltë, që të mbroj Gjuhën edhe Kulturën. Për kundra(zi), faktori etnik ka qenë gjithnjë preh e një përdorimi të paskrupullt shpesh herë nga vet shqiptarët, për kalkulime politike fare të dobishme për çështjen shqiptare.

Në fakt shteti Shqiptar deri më sot, nuk ka garantuar një mbështetje të vazhdueshme për popullatën Shqiptare jashtë kufijve të Republikës, si edhe në disa raste nuk ka mundur ta bëjë ketë. Pra edhe sot e kësaj dite, gjuha jonë, përveç se në Republikën e Shqipërisë, nuk mësohet saktësisht në asnjë prej trojeve ku deri dikur etnia shqipe ka qen dominuese, edhe në kohën e Perandorisë.

Kjo strategji asimilimi ka filluar pikërisht mbas ndarjes e territoreve ballkanike në fillim të shekullit e shkuar, edhe si pasoj e kësaj sot në shume ish troje me shumice etnike Shqipe, gjuha, edhe akoma më e rëndësishme, Identiteti, po humbet, ose më keq, ka humbur. Edhe sot identiteti jonë i përbashkët, mbahet në një fije shume të hollë.

Pleqtë në fshatrat përkatës kanë vazhdimisht kërkuar të dorëzojnë gjuhen edhe kulturën tek pasardhësit e tyre, gjë kjo, që sot nuk është më plotësisht mjaftueshme. Megjithatë, cila do përpjekje është e dobishme, deri sa një plan i mirëfilltë të hartohet.

A ndodh kjo edhe në Vende të tjera?

Sigurisht që jo. 

Një shembull perfekt mund ta gjejmë edhe brenda realitetit tonë aq të vogël. Është më se e ditur që në jug te vendit, ekzistojnë shkolla ku gjuha që jepet mësim nuk është Shqipja ne rradh të parë, por greqishtja. Madje kjo e fundit është edhe e vetmja që në ato shkolla mund te dëgjosh. Një veprim i tillë është thjesht fillimi i një procesi shterues të një shoqërie jo fort e kolauduar edhe e përforcuar, siç është ajo shqiptare.

Por lejimi i shkollave Greke, është deri diku, një veprim demokratik edhe i drejt, përderisa kjo etni është e konsideruar minoritet etnik nën territorin e Shqipërisë. Është një nga pikat themelore të deklaratës te se drejtave te njeriut, mbrojtja edhe trashëgimia të kapitalit kulturor. Por pyetja pra është, përse kjo e drejt shkelet në territorin fqinj.

Përse kapitali ynë është shkelur, është kërkuar të fshihet për gjithmonë gjeneratë pas gjenerate. Nuk dua kurrsesi të gjykoj askënd me ketë, por duhet te reflektojmë. Shtete të tjera, kërkojnë të drejta që deri diku është e drejt që ti jepen, por përballë disa padrejtësi që neve vuajmë, edhe kemi vuajtur vazhdimisht, përse neve nuk reagojmë?

Përse emigrantet, ose më keq, fëmijët të emigranteve, gjenerata e parë, ajo e dyta, nuk mund të gëzojnë ato të drejta t njëjta që bashkëqytetarët tanë gëzojnë ne vendin tonë? Me kalimin e kohës mos afrimi i gjeneratave të reja me kulturën amtare, mund të coj ne një asimilim total, edhe në humbjen të një potenciali madhor intelektual për Shqipërinë. Potencial ai i diasporës që gjatë historisë sonë, ka përbërë pjese me rendësi themelore, për krijimin edhe përforcimin të një identiteti që rrezikonte shfarosjen.

“Diaspora Shqiptare ka një kontribut të padiskutueshëm në historinë dhe identitetin Kombëtar[…] Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe Lugina kanë potencial të konsiderueshëm intelektualësh që jetojnë ne Diasporë[…] Në vitet e hershme të pavarësisë roli i pjesëtarëve të arsimuar mirë të diasporës ishte i rëndësishëm[…] (i)

Vetëm duke konsideruar vende si Italia, Greqia, edhe Gjermania ne Evropë, numri i emigranteve shqiptarë vlerësohen diku tek 2 milion.

Pra po te konsiderojmë këto numra (jo-zyrtare), kemi në emigracion aq potencial sa bashke popullata e Kosovës edhe e Shqipërisë. Numër aspak i vogël. Këtu nuk kam konsideruar komunitetin në SHBA, Vende të tjera të Evropës edhe popullsinë etnike në Republikën e Maqedonisë, Mali i Zi, pjesën veriore të Greqisë edhe Lugina e Preshevës.

Më një potencial aq të madh, edhe që sigurisht vjen duke u zmadhuar, të nisesh një projekt nga baza, do ishte pa dyshim një strategji fituese.

Krijimi të shkollave, ose kurse të kualifikuara Gjuhe edhe Kulture Kombëtare, me qëllimin e një përgatitje edhe një njohurie të përshtatshme, për te rinjtë edhe të miturit, që janë rritur ose lindur në Diasporë, do sjelli gradualisht një afrim EFEKTIV të gjeneratave të reja në origjinë. Si pasojë e kësaj do ketë gjithmonë e më shumë një gatishmëri, EFEKTIVE edhe KONSTRUKTIVE, për të investuar energji në Atdhe.

Si fillim, një shoqatë, me një projekt edhe një qëllim të tillë, është pa asnjë dyshim një investim më fitimprurës, se cdo lloj projekti me një “background” thjesht propagandistik. Nisma të kësaj lloje janë ndërmarre në të kaluarën, në vende të ndryshme, por mungesa e një qëllimi real, si dhe (shumë e rëndësishme) mungesa të një ndërlidhje, bashkëpunim midis këtyre, ka pasur si rezultat një dështim.

Ideja themelore, është krijimi falë ndihmës së organizatave të ndryshme shqiptare edhe jo-shqiptare, i një subjekti (Shoqatë) kulturor, me objektiv dorëzimin i trashëgimisë sonë në gjeneratat e reja në Diasporë, në mënyrë me komplete edhe më te kualifikuar, përveç gojë dhënies që vjen nga Familja, që në vetvete është tepër e rëndësishme, por jo krejtësisht e mjaftueshme. Por jo kaq.

Sic thash më parë, nismat sporadike edhe të izoluara nuk janë shumë të dobishme. Kusht themelor për funksionimin e mëtejshëm i këtyre subjekteve, duhet të jetë ndërlidhja, edhe bashkëpunimi midis tyre, edhe më tej, me shtetet tona. Të krijohet një rrjet më i gjer shoqatash, te cilat nuk punojnë thjesht për një interes të vogël, personal, por që ndajnë një projekt me themele të forta, edhe një qëllim të pranuar nga të gjithë. Të jetësohet pra një rrjet të jetë ne gjendje të përhapi një njohuri të gjuhës edhe të kulturës tonë homogjen, duke rrënjosur një identitet të përbashkët, të pa-ndotur nga faktorë të jashtëm.

Falë bashkërendimit të ngushtë me Shoqata të shumta ekzistuese, falë eksperiencës të tyre, me dëshirën për të shfrytëzuar sa më shumë një potencial intelektual te konsiderueshëm, edhe për mos ta humbur atë duke ja falur dikujt tjetër, edhe ndihma me e vogël nga ana e Shtetit, do jetë shtylla mbi të cilën to mbështetet gjithçka.

“Shpresa kryesore e një kombi qëndron në edukimin e drejtë të të rinjve të tij“ Erasmo Roterdami


(i ) Ministri i Shtetit për Diasporën, “STRATEGJIA KOMBETARE E DIASPORES DHE MIGRACIONIT 2018-2024” (link PDF), 

The post Mbi çfarë bazohet një Komb? appeared first on Albania News.

Njihuni me Apeninet, njihuni me Shqipërinë!

$
0
0
Njihuni me Apeninet, njihuni me Shqipërinë

Një grup blegtorësh shqiptarë ka eksploruar ApeninetReggio Emilia të Italisë: në kërkim të zgjidhjeve të dobishme edhe për Veriun e Shqipërisë. Osservatorio Balcani e Causaso ka ndjekur këtë “udhëtim-studim” unik në llojin e tij përshkruar në italisht nga Nicola Pedrazzi. Përkthyer në shqip nga Albania News.

Në fushë në Reggio mëngjesi është i ftohtë dhe i trishtë. Pas një orë kthesash në drejtim të Succiso-s, Udhërrëfuesi i Davides ndalon dhe lart në mal, dielli po shpërbën retë. Ekspedita italo-shqiptare po na pret në një bar pasi ka pirë me fund dy xhiro kafesh. “Më në fund vëllezër, mirë se erdhët!”, na pret Korrado Torçanti, veterineri nga Collagna, i cili do të jetë edhe udhërrëfyesi ynë. “Mirë se vini në Luginën e Secchias, në veri të Parkut Kombëtar të Apenineve Toskano-Emiliane, pra në vendin më të bukur në botë”. Peizazhi dhe gjuha e vendit kodrinor ku ndodhemi, kumton Ligurian dhe Toskanen, por në dy ditët e ardhshme, gjuha e grupit të pa gjasa të cilit i bashkohemi, do të jetë shqipja.

Peizazh Bora

Blegtorë, jo turistë

Veteriner, blegtor dhe prodhues, prej disa vitesh Korrado merr pjesë me mish e me shpirt në projektin e bashkëpunimit për zhvillim koordinuar nga Reggio Terzo Mondo (RTM): shkon peronalisht në veri të Shqipërisë dhe mirëpret nga ato zona grupe blegtorësh shqiptarë, që në shpatet e Apenineve të Reggios gjejnë një natyrë të ngjashme me atë të shtëpisë, së bashku me zgjidhjet e mundshme për të rritur fitimet.

“Kur shkoj në kishë luaj me kitarë dhe ndihmoj të tjerët të këndojnë – na tregon Korrado gjatë udhëtimeve të shkurtra me makinë nga një fermë në tjetrën – dhe kjo gjë për mua vlen në të gjitha fushat e jetës: mua më kanë mësuar, ndaj mundohem të ndaj çfarë di me të tjerët. Unë iu bashkova propozimit të RTM-së pikerisht se jam i gatuar kështu. Këtu ka njerëz që ndjek prej tre vitesh, kemi krijuar një marrëdhënie besimi …”.

Blegtorët shqiptarë që Korrado udhëhëq në zbulimin e territorit të tij janë të gjithë të rinj: djem të lindur në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, në mes të tranzicionit nga komunizmi në demokraci. E vetmja fytyrë e njohur për mua është ajo e Pashk Hasanit, protagonist i videos që në shtator kemi realizuar në fermën e tij, në Mërtur, në Alpet shqiptare.

Pranë tij këtë radhë nuk është e shoqja Malbora, por bashkatdhetarët e tij që njësoj si ai, kanë vënë bast mbi të ardhmen e territorit ku lindën, migruan dhe u rikthyen. Është Behar Dunga, i cili në Qerret – një fshat i vogël dyzet minuta nga Puka – drejton një fermë me njëqind e pesëdhjetë dhi, për të cilat ka në plan të nisë sa më parë një sistem mekanik të mjeljes; Gjergj Prendi, që së bashku me tre shokë nga Blinishti dëshiron të ndërtojë punëtorinë e vet për prodhimin e djathit të bardhë; Mesar Hasmegaj, i cili ndryshe nga të tjerët jeton në fushë, në Mjedë, një qytezë e vogël jo shumë larg Vaut të Dejës, dhe që me ndihmën e babait dhe vëllezërve drejton një fermë prej më shumë se katërqind krerë dele, dhe ia shet qumështin një prej fabrikave kryesore të përpunimit. Së fundi, është e reja Paola Gjoni (lindur më 1990), eksperte veterinare, së cilës RTM i ka besuar monitorimin e zonës së Fushë Arrezit: sytë dhe veshëve të së cilës Korrado i dedikon shumicën e diskutimeve të tij plot pasion.

“Qëllimi ynë – thotë Nicola Battistella, bashkëpunëtor i RTM që ndjek gjatë vitit projektin në tokën shqiptare – nuk është të ngujisim ëndrrën e sistemit industrial Emilian! Na intereson të bëjmë të mundur të kuptojmë se si dhe pse funksionojnë bizneset e vogla familjare, të ngjashme me ato që mund të lindin nga mbarështuesit tanë në Shqipëri “.

Dhitë janë dhi kudo, infrastuktura jo

Era. Erërat. Kush, si unë, ka lindur dhe është rritur në qytet, nuk i njeh shijet e fshatit. Nuk i njeh ritmet, ajrin, ashpërsinë, mundin, kënaqësitë. Nuk e njeh punën e fshatit, nuk i njeh njerëzit. Dhe nuk i njeh kafshët: para se RTM të më jepte këtë mundësi, unë nuk njihja një lloj delesh nga një tjtër – në të vërtetë nuk kisha as më të voglin dyshim që në Apeninet tona jetonin dhi. Nga stalla në stallë, nga ferma në fermë, dëgjoj pyetjet e mbarështuesve shqiptarë, dhe filloj e bëj pyetje edhe unë: Me se ushqehet një dhi? Sa litra qumësht prodhon? Sa keca lind në një vit?

Mbarështimi i mirë ka të njëjtin sekret me djathin: ekuilibrin. Rendimenti varet nga koha dhe nga dozat. Një stinë është më e dobishme për ciftimin se një tjetër, ekziston një përzierje optimale me foragjere, ekzistojnë lloje të ndryshme stallash: do të thotë që kzistojnë “ekuilibra”, bazuar ne vite të tëra përpjekjesh dhe përvojash. Vëmendje ndaj detajeve është celësi në shpjegimet e të gjithë mbarështuesve që vizitojmë, pavarësisht nga kafshët që mbajnë apo madhësisë së fermës.

Me aq sa kuptoj unë, në fshat, çdo gjest përbën ekonomi, por jo në kurriz të cilësisë së jetës së kafshëve – burim parësor, që këtu ruhet si i shenjtë – por për shkak se çdo veprim kërkon përpjekje, dhe kursimi i energjisë është në qendër të organizimit të një ferme që synon të jetë në treg: duke filluar nga krahu i punës.

Një zinxhir prodhimi mund të jetë shumë i brishtë. Këtë gjë ma qartëson Korrado me një shembull: “Një nga problemet që kam hasur në Shqipëri është aborti nga mikoplazma. Në vitet e fundit janë infektuar disa kope. Nëse njëzet apo tridhjetë krerë dështojnë, kjo është një tragjedi: do të thotë të mos kesh keca dhe të mos kesh as qumësht, pasi qumështi i shtatzënisë së dështuar nuk është i mirë për djathin”.

Stalla e lopeve

Kjo përkujdesje e madhe ndaj kafshëve dhe burimeve i përket në fund të fundit dhe traditës shqiptare; por gjatë diktaturës së gjatë të Enver Hoxhës, një organizim absurd “kooperativist” i fshatrave u hoqi pronësinë e kafshëve familjeve të cilat prej shekujsh i dedikoheshin blegtorisë: një kolektivizim i dobët pa lidhje me realitetin që pretendonte të udhëhiqte, një shkatërrim të cilin, Veriu i Shqipërisë, me traditë të fortë agro-blegtorale, ka paguar me çmimin më të shtrenjtë.

Duke e ditur këtë situatë, ndërkohë që ndjek telekamerën e Davides me mikrofon, shtangem ndërkohë që shoh miqtë tanë shqiptarë, blegtorë fill pas diktaturës: nga sytë e tyre krenarë e të përqëndruar nuk shfaqet asnjë shenjë habie për efikasitetin emilian; vijnë nga një histori tjetër, por edhe ata blegtorë janë, i kuptojnë më së miri dilemat dhe lodhjet e kolegëve italianë të cilët tregojnë për disa gjëra kryer ndryshe në Shqipëri.

Kur i kërkoj Mesarit nëse dallon diferenca të mëdha, me atë buzëqeshjen e vet ironike thotë: “dhitë janë dhi kudo, këto veç janë pak më të majme”. Ndërkohë që më flet, dora e tij e madhe përkëdhel kokën e vogël të një keci të murrmë: kafshët dhe blegtorët sikur njihen me njëri tjetrin, e në fakt dhentë e dhitë me mua shkëmbejnë veç siklet.

Nëse një dhi është dhi, dhe një blegtor është blegtor, kushtet e pikënisjes jo gjithmonë janë njësoj. Përpara një infrastrukture dhe teknologjie sytë e shqiptarëve ndizen me risi: kur Korrado na ilustron një sistem për mjeljen mekanike, kur përdor një sondë për ekografinë ose kur këshillon një shishkë antibiotiku, pyetja, gati nga të gjithë është: “sa kushton?” – e ky është rasti i vetëm kur përgjigjet e marra nuk ngjallin optimizëm. Herë të tjera, vërejtjet e sygjeruara janë të thjeshta dhe ekonomike. Është rasti i një këmbalke dërrase që Korrado përdor për të mjelë, apo të “grazhdës me vetëkapje”, një sistem elementar në realizim por i sofistikuar në rezultat, pasi detyron delet të hanë në radhë të rregullta, duke i garantuar secilës sasinë e duhur të ushqimit. Ndërkohë që kopeja vijon në radhë indiane, blegtorët miq nxjerrin disa foto. “Kur të kthehem do e bëj dhe unë” është një nga ato frazat që asnjë nuk thotë, por që merret vesh nga shikime të kryqëzurara.


Dëshira për ndryshim

Në vizionin e RTM-së, ndryshimi vjen nga përballjet. Për këtë arsye, në mbarim të “shëtitjes”, personat që njohëm gati nuk numërohen. Duke sistemuar skedarët në kompjuter, rishoh kurajon e Marko Maralia-s, që me fermën e tij (“Il laghetto”) është përqëndruar në mbarështimin e dhive, djathrat që prodhon janë ari i tij, po për miqtë ardhur nga larg, Marko ka servirur pa kandar.

Më vjen ndërmend simpatia e vëllezërve Santini, që në Valbonë, fshat në Collagna, mbajnë dhe lopë.

Sot Xhuzepe Santini ka në garazh pesë traktorë, por dy gomerët në stallën e tij i kthejnë në memorje të parët e vet: “Ai është për vajzën time, tjetri për mbesën time. Kanë pas qenë mjet transporti të mbarështueve tanë të hershëm” po i shpjegonte shqiptarëve, duke marrë mbrapsht një “e dimë mirë” dashamirëse -, sot janë veç humbje, por është traditë e jona, ç’tju them më tepër…”.

Në fund, rimendoj i ngazëllyer për tryezën italo-shqiptare gatitur pranë kooperativës “Valle dei Cavalieri” në Succiso, një krenari e vërtetë për një territor që ka krijuar punë dhe zhvillim bazuar në burimet dhe identitetin e vet.

Nëse metoda e RTM-së do të ketë fat, diçka e ngjashme mund të ndodhë pas ca kohësh dhe në Veriun e Shqipërisë, ku GDP-ja për frymë është më e vogël se një e gjashta e asaj italiane, ku fjala “kooperativë” ndjell një të kaluar të errët, ku një peizazh i pacënuar të lë pa frymë. Ku Pashku, Behari, Gjergji, Mesari dhe Paola jane duke punuar, me duart e tyre dhe aftësitë e tyre, për një të nesërme ndryshe. Një e nesërme shqiptare.


Programi i Alencës për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut , është një program që synon të vërë në lëvizje zhvillimin lokal duke u nisur nga njohuritë tradicionale, prodhimet tipike, dhe nga roli i grave.

Programi ka filluar më 4 korrik në Pukë dhe në 7 korrik në shkollën profesionale të Bushat-Vau i Dejës.

Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).

The post Njihuni me Apeninet, njihuni me Shqipërinë! appeared first on Albania News.

Viewing all 206 articles
Browse latest View live